Zyrtarët në Bruksel theksojnë se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim dhe dialog të ngushtë me të gjitha komunitetet e përfshira.
“Është thelbësore që projekte të tilla të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale,” thuhet në një deklaratë nga Zyra e Shtypit e Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, BE-ja konfirmon se po vazhdon vlerësimin strukturor të urës kryesore të Mitrovicës, si dhe një studim urbanistik të zonës përreth, duke marrë parasysh kohën që ka kaluar që nga përfundimi i rivitalizimit të saj.
“Ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo, por synon të sigurojë që çdo vendim në lidhje me të ardhmen e urës të mbështetet në të dhëna teknike të përditësuara, të sakta dhe objektive”, thuhet nga Brukseli.
Po ashtu, BE-ja bën të ditur se është në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për çështjen e urës.
Njëkohësisht, kërkohet që të gjitha marrëveshjet e dialogut, përfshirë ato që kanë të bëjnë me urën e Mitrovicës, të zbatohen në tërësi./rtk