Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > BE: Korrupsioni është zvogëluar, për investitorë serioz kërkohet edhe furnizim i qëndrueshëm me energji

BE: Korrupsioni është zvogëluar, për investitorë serioz kërkohet edhe furnizim i qëndrueshëm me energji

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë sot se Kosova ka përparësi të shumta dhe potencial për investime të huaja.

Ministrja Hajdari theksoi se Kosova me sektorët industrialë, kryesisht në industrinë përpunuese është me rëndësi për ekonominë e vendit, sepse sipas saj industria përpunuese kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së prodhimit në vend dhe në rritjen e numrit të të punësuarve në profile të ndershme.

Ndërsa, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës vlerësuan se niveli i korrupsionit është zvogëluar, por nevojitet edhe furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike për të pasur investitorë seriozë nga Bashkimi Evropian.

Ministria Hajdari në konferencën vjetore mbi zhvillimet më të fundit në promovimin dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë, tha se Kosova synon më shumë investime, eksporte dhe punësim, teksa shtoi se vendi ynë ka potencialin e ndërmarrësisë.

Hajdari: Kosova ka përparësi të shumta për investime të huaja

“Kosova ka përparësi të shumta, është efektiviteti i kostos, është rinia e arsimuar, është cilësia e ndërmarrësisë në vendin tonë me kompetencën përpunimit në sektorë të rëndësishëm industrial me orientim për të inovuar nga nevoja. Ne synojmë për integrimin e fuqishëm ekonomik e tregtarë me vendet e Bashkimit Evropian dhe principatat e BE-së. Lajm i mirë është se me kalimin e viteve, tregtia po rritet, po bëhet më e rregulluar, ka monitorim aktiv të tregtisë përtej kufijve dhe pjesëmarrja e njerëzve në sektorin e tregtisë formale po rritet. Qeveria e jonë është e vendosur fortë për të ndalur tregtinë jo formale dhe të paligjshme… Kosova ka përparësi të shumta, është edhe më shumë legjislacioni në fuqi në harmoni me Bashkimin Evropian. Po ashtu është edhe infrastruktura që iu ofron investitorëve edhe më lehtë për t’u vendosur në Republikën tonë”, tha ajo.

Udhëheqësja e Sektorit të Politikave Ekonomike dhe Integrimit Evropian në Zyrën e BE-së në Kosovë, AnnaCarin Platon tha se shumë investitorë serioz nga shtetet e Bashkimit Evropian së pari bazohen në furnizimin e qëndrueshëm të energjisë, edhe nëse ajo energji vjen nga burimet e ripërtritshme.

Prandaj, ajo tha se diverisifikimi i burimeve të energjisë është i domosdoshëm për të pasur një qëndrueshmëri në të ardhmen.

Platon: Korrupsioni është zvogëluar

“Ne dëgjuam këtu edhe bizneset, që korrupsioni është zvogëluar. Po ashtu, ne si BE e vlerësojmë përparimin që është bërë edhe në fushën e legjislacionit në përputhje me atë të BE-së. Qeveria ka komunikuar dhe e përçon një përkushtim ndaj agjendës së Bashkimit Evropian. Sa i përket krizës energjetike, në kohë krize paraqiten edhe mundësi për të reflektuar shteti nga sektori i energjisë. E kuptojmë që tani diversifikimi i burimeve të energjisë është i domosdoshëm për të pasur një qasje të gjelbër, e cila është një zgjidhje dhe një qëndrueshmëri në të ardhmen… Ndërsa, për investimet e huaja, shumë investitorë seriozë nga shtetet e Bashkimit Evropian së pari bazohen në furnizimin e qëndrueshme të energjisë, edhe nëse ajo energji vjen nga burimet e ripërtritshme të energjisë. Po ashtu duhet pasur një ambient të pastër me shërbime”, theksoi ajo.

Në këtë ngjarje u tha se gjatë periudhës janar – shtator 2022 investimet e huaja kanë shënuar vlerën në 566.9 milionë euro, apo krahasuar me vitin e kaluar të periudhës se njëjtë, ka një rritje prej 43.6% të investimeve të huaja.

Pavarësisht sfidave, Kosova ka tërhequr një numër investitorësh të rëndësishëm, duke përfshirë disa firma ndërkombëtare, megjithëse ka mjaft potencial të pashfrytëzuar.

Në këtë konferencë u tha po ashtu se Kosova ka bërë progres të vazhdueshëm në krijimin e një ekonomie tregu moderne dhe miqësore, duke ofruar mundësi të mëdha investimi, duke ruajtur rritjen ekonomike dhe stabilitetin rajonal.

Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ekonomia e Kosovës në vitet e fundit ka shënuar një normë pozitive të rritjes ekonomike, përkundër sfidave që paraqesin luhatjet në ekonominë globale, veçanërisht në atë evropiane. Po ashtu, u tha se në këtë aspekt, Kosova ka shënuar një rritje të konsiderueshme të investimeve gjatë vitit 2021, duke arritur vlerën prej 420.7 milionë euro.

Kjo ngjarje ka mbledhur të gjithë akterët relevantë dhe një spektër të gjerë të ndërmarrjeve dhe bizneseve kosovare. Objektivi i përgjithshëm është të nxisë rritjen e investimeve të huaja direkte dhe eksporteve të Kosovës.   /TV Arbëria

Powered by WordPress