Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > BE-ja: Mbështetje për zgjerimin, por shqetësim për situatën në Kosovë

BE-ja: Mbështetje për zgjerimin, por shqetësim për situatën në Kosovë

Procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, situata e sigurisë në Kosovë dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të jenë ndër temat që do t’i diskutojnë udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së në një takim që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

Pritet që në këtë takim, që përkon me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, ku u dha premtimi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, të përsëritet përkushtimi për integrimin e tyre në BE. Por, njëkohësisht, pritet të shprehet edhe shqetësim për tensionet e rritura në veri të Kosovës.

Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, banorët lokalë protestojnë qysh në fund të majit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

Tensionet kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera.

Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.

Burimet diplomatike presin që udhëheqësit evropianë t’u bëjnë thirrje dy vendeve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive, pritet t’u tërhiqet vërejtja për pasojat.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje edhe në draftin e një dokumenti që pritet të miratohet në takimin e liderëve të BE-së.

/TV Arbëria

Powered by WordPress