Përgatiti: Afrim Kasaolli
Paralajmërimi i presidentit Donald Trump se nuk e përjashton përdorimin e forcës me qëllim që ta integrojë ishullin e Grendlandës si pjesë të SHBA-ve, ka nxitur reagime të shumta në botë, veçanërisht në kudër të BE-së, pasi ishulli në fjalë zyrtarisht ndodhet nën administrim e Mbretërisë së Danimarkës, edhe pse e gëzon një shkallë të lartë të autonomisë, politike dhe administrative.
Kështu, Franca e ka paralajmëruar Donald Trump-in, kundër kërcënimit të “kufijve sovranë” të Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, i ka thënë radios France Inter se “Nuk bëhet fjalë që BE-ja të lejojë që shtete të tjera në botë, kushdo që të jenë ata, të sulmojnë kufijtë e saj sovranë.” Ndonëse, ai ka shtuar se, megjithatë nuk besonte se SHBA-të “do të pushtonin” Grendlandën, por pa përjashtuar faktin se “kemi hyrë në një epokë ku po lulëzon modeli i rikthimit të ligjit të më të fortit.”
Paralelisht me këto zhvillime, ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë kanë planifikuar të udhëtojnë në Uashington D.C. menjëherë pas ceremonisë së inaugurimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 20 janar. Ideja e ministrave nga tre shtete të mëdha të BE-së që të udhëtojnë së bashku, synon të përçojë mesazhin e “unitetit evropian,”. Në këtë vizitë në SHBA, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, dhe ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, mund të shoqërohen edhe nga diplomatja kryesore e bllokut, Kaja Kallas. Liderët e BE-së kanë shprehur gatishmërinë për të punuar me administratën Trump, por gjithashtu janë të kujdesshëm ndaj lëvizjeve të tilla si tarifat tregtare ose kërcënimi i tij për të aneksuar Grendlandën, një territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, i cili është anëtar i NATO-s sikur se Shtetet e Bashkuara.
Këtu duhet kujtuar se dje gjatë një konference për shtyp, Trump refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës ushtarake për të marrë Kanalin e Panamasë dhe Grendlandën, si dhe sugjeroi se kishte ndërmend të përdorte “forcën ekonomike” për të bërë Kanadanë pjesë të SHBA-ve.
Sidoqoftë, mbetet e paqartë së çka do të mund të bënte Bashkimi Evropian kundër Amerikës, nëse njëmend presidenti i sapo zgjedhur, Donald Trump vendos ta bëjë reale strategjinë e tij të “pushtimeve territoriale” në kontinentin amerikan? Sidomos, kur marrim parasysh faktin se në kufijtë e BE-së, që tri vite, Rusia është duke zhvilluar një luftë pushtuese, konkretisht në Ukrainë, dhe se siguria e BE-së nga imperializmi i Kremlinit, në masë të madhe garantohet nga prezenca e SHBA-ve në truallin e kontinentit evropian. /TV Arbëria