Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha të enjten se sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndaj zyrtarëve të bllokut është e papranueshme.
Ai i bëri këto komente një ditë pasi zoti Bislimi e kritikoi të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për siç tha shkelje të “parimeve që i ka vendosur vet”, duke ftuar një takim mes palëve për javën e ardhshme, pa pajtim paraprak, për të diskutuar çështjen e përdorimit të dinarit në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Zoti Bislimi tha se e refuzoi ftesën, meqë “ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori sepse çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”, ndërsa paralajmëroi se ditëve në vazhdim do të përcaktohet se kush do ta përfaqësojë Kosovën në takim.
“Është hera e parë që ai (Lajçak) ka caktuar një takim pa dakordim paraprak me palët dhe është munduar edhe ta përcaktojë agjendën përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 se asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”, tha zoti Bislimi.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se pas takimeve të ndara të javës së kaluar në Munih ndërmjet shefit të politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zoti Lajçak i ka ftuar palët të takohen në Bruksel të martën më 27 shkurt, por në ftesë nuk është përcaktuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe Serbinë.
Ai tha se BE-ja po përpiqet të ndihmojë gjetjen e një zgjidhjeje për një problem të krijuar nga një vendim i pabashkërenduar i njërës palë, i cili nuk i është komunikuar paraprakisht popullatës së prekur.
“Shpresojmë që zoti Bislimi do të vlerësojë përpjekjen në vend që të akuzojë në mënyrë të pavend dhe pa bazë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha zëdhënësi Stano në një përgjigje me shkrim shpërndarë mediave.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.