Krerët e shteteve të bllokut prej 27 vendesh kishin planifikuar të përdornin disa nga asetet ruse me vlerë 210 miliardë euro që janë ngrirë në Evropë, kryesisht në Belgjikë.

Por, pavarësisht punës gjatë gjithë natës deri në mëngjesin e së premtes, ata nuk arritën ta bindnin Belgjikën se vendi do të mbrohej nga çdo hakmarrje ruse nëse do të mbështeste planin e kredisë.

Ata vendosën për një alternativë: marrjen hua të 106 miliardë dollarëve në tregjet e kapitalit.

Pas pothuajse katër vitesh lufte, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Ukrainës do t’i duhen 137 miliardë euro në vitet 2026 dhe 2027.

Qeveria ka nevojë të madhe për paratë deri në pranverë për të paguar gjithçka, nga municionet deri te riparimet e infrastrukturës.

Ja çfarë duhet të dini rreth kredisë.

BE-ja do të marrë përsipër borxhin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte sjellë në samitin e së enjtes dy propozime, shkruan AP.

Plani i parë kishte qenë të përdoreshin disa nga asetet ruse me vlerë 210 miliardë euro që janë ngrirë në Evropë, kryesisht në Belgjikë.

Paratë janë ngrirë sipas sanksioneve të BE-së të vendosura ndaj Moskës pasi ajo nisi luftën e saj në shkallë të plotë në vitin 2022.

Udhëheqës si kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron mbështetën këtë opsion të parë, veçanërisht pasi kjo metodë financimi do të kërkonte mbështetje nga dy të tretat e 27 vendeve të BE-së.

Kjo shumicë pritej të ishte shumë më e lehtë për t’u arritur politikisht sesa unanimiteti i plotë i kërkuar nga traktati themeltar i BE-së për opsionin e dytë: huazimin e parave nga tregjet e kapitalit.

Por, kryeministri i Belgjikës, Bart de Wever, refuzoi të tërhiqej nga kredia e dëmshpërblimeve.

Ishte Hungaria, udhëheqësi i së cilës Viktor Orban e ka kundërshtuar prej kohësh përqafimin e Ukrainës nga Brukseli, ajo që bëri kompromis.

Këshilli Evropian tha se do të përdorte Nenin 20 të Traktatit të Evropës për t’i lejuar BE-së të merrte përsipër borxhin për një kredi me interes zero për Ukrainën.

Është një zgjidhje më e thjeshtë dhe ndoshta më e sigurt krahasuar me kreditë.

Është gjithashtu e ngjashme me mënyrën se si BE mori 750 miliardë euro borxh pas pandemisë COVID-19 për një fond gjigant të rimëkëmbjes ekonomike.

Huamarrja e madhe është bërë një shenjë dalluese e administratës së von der Leyen.

Të përjashtuarit nga barrët financiare

Jo të gjitha vendet ranë dakord për paketën e kredisë.

Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke refuzuan të merrnin borxh për Ukrainën, por u arrit një marrëveshje në të cilën ato nuk e bllokuan paketën e kredisë dhe iu premtua mbrojtje nga çdo pasojë financiare.

Orban, i cili është aleati më i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin në Evropë, shpalli fitoren e dyfishtë në samit.

“Ne nuk e lejuam Evropën të shpallte luftë ndaj Rusisë duke përdorur asetet ruse dhe ia dolëm mbanë të mbronim familjet hungareze nga borxhi shtesë”, tha ai.

Orban vlerësoi bashkëpunimin e Hungarisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke, të cilat u përjashtuan nga barrët financiare nga kredia për të lejuar unanimitetin e kërkuar nga traktati i BE-së.

Por kryeministri çek Andrej Babis u distancua nga qëndrimi anti-Ukrainë i Sllovakisë dhe Hungarisë gjatë samitit dhe tha se Praga thjesht nuk mund të përballojë borxh shtesë.

Përdorimi i aseteve ruse është ende në diskutim