Zgjedhja e Qeverisë së re në Serbi ka shkaktuar reagime të ndryshme në opinionin ndërkombëtar. E tëra kjo për shkak se në përbërjen e saj ndodhen edhe emra të sanksionuar në listën e zezë nga Shtetet Bashkuara të Amerikës , për shkak të lidhjeve të tyre special me Rusinë.
Kështu, Aleksandër Vulin, i cili një kohë e kishte mbajtur pozitën e ish-udhëheqësit të shërbimit të inteligjencës, e që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë, si dhe Nenad Popoviq, si ministër pa portofol që gjithashtu, ndodhet në “listën e zezë” të SHBA-së, konsiderohen ndër emrat më problematike në kabinetin qeveritar të kryeministrit, Millosh Vuçeviq.
Për këto emërime, Departamenti Amerikan i Shtetit, ka pohuar se “mbetet tejet i zhgënjyer” Kurse, për dallim nga ky reagim, SHBA-ve, Bashkimit Evropian ka thënë se i gëzohen vazhdimit të bashkëpunimit me Qeverinë e re të Republikës së Serbisë, në përpjekjet e saj për të realizuar qëllimin strategjik të vendit, që është anëtarësimi në BE.
“Serbia e di shumë mirë se pritjet e BE-së janë të tilla që ajo duhet të bëjë gjithçka që është e nevojshme, për t’i përmbushur kriteret e domosdoshme, sidomos kur bëhet fjalë për politikën e jashtme. Ajo duhet të përshtatet gjithnjë e më shumë me vendimet dhe pozicionin e BE-së kur është në pyetje politika e jashtme”, ka deklaruar ndër të tjera zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Kurse në anën tjetër, jo shumë kohë më parë, ishte vet Parlamenti Evropian që kishte kërkuar kritere shtesë për vendet e Ballkanit Perëndimor, që të kenë qasje në planin e BE-së, për rritjen ekonomike të rajonit. Në mes tjerash ky institucion, kishte kërkuar, që përdorimi i këtyre mjeteve të kushtëzohet me mbështetjen e qëndrimeve të BE-së në Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
Mirëpo, regjimi Vuciqit me afirmimin e figurave të tilla, po tregoi qartë se s’do t’i përfill parimet e përbashkëta të Politikës së Jashtme me BE-në. Madje, vetë kryeministri Vuçeviq, ka deklaruar se vendi i tij nuk do t’i imponoj sanksione Rusisë. Kjo qasje pa dyshim se do të ketë implikime dhe në procesin e negociatave me Kosovën, sidomos kur marrim parasysh faktin se edhe njëri nga synimet e dialogut krahas normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve, është edhe përshpejtimi i agjendës së tyre evropiane.
Deri më tani Qeveria e Kosovës nuk është prononcuar për këtë temë. Mirëpo, këtu duhet kujtuar, se kohë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në rrjetin e tij social, facebook kishte shkruar, se “sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”.
Kurse, TV Arbëria në një vështrim para pak dite, pohonte se mos sanksionimi i Serbisë për agresionin ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian, vetëm sa e ka trimëruar Serbinë në ndjekje të qasjes agresive dhe luftënxitëse ndaj vendeve fqinje.