Shkruan: Arben Fetoshi
Në botën e trazuar nga përshkallëzimet e fundit të Lindjes së Mesme, një vend kandidat për Bashkimin Europian i del në mbrojtje regjimit të ajatollahëve. I njëjti vend që për katër vjet nuk e ka harmonizuar politikën e jashtme me sanksionet ndaj Rusisë dhe nga i njëjti lider që e don Europën për investime, por harmonizimin e vazhdon me Rusinë, Iranin dhe Kinën.
Krahasimi nga Aleksandër Vuçiq i sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë (1999), duke përsëritur se ishte fabrikuar “katastrofa humanitare” për ta legjitimuar ndërhyrjen, është nostalgji për politikën gjenocidale të ish-shefit të tij, Milosheviqit dhe tregues i qartë për kursin anti-perëndimor të politikës serbe.
Një mbështetje e tillë vajtuese që e kornizon NATO-n si “agresor”, jo vetëm që e plotëson mozaikun determinist të Serbisë në trekëndëshin Rusi-Iran-Kinë, por edhe sfidën më kërcënuese ndaj rendit të vlerave të lirisë e demokracisë.
Mesazhet e Vuçiqit nuk janë retorikë në mbrojtje të “sovranitetit”, sepse sovraniteti nuk është e drejtë për krime masive. Ato janë shprehje në mbrojtje të Millosheviqit dhe tendencë për ta normalizuar gjenocidin në emër të “sovranitetit”.
Janë mbrojtje e vetes si autokrat dhe Serbisë si përgjegjëse për gjenocidin, krimet e luftës dhe masakrat në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, të vërtetuara me aktgjykime të formës së prerë nga Drejtësia Ndërkombëtare dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Mesazhet e tij ekspozojnë strategjinë hibride të Serbisë post-millosheviqjane, që përdorin analogjinë me Kosovën si instrument mobilizimi në kuadër të “viktimizimit” dhe “rrethimit të padrejtë” të Serbisë.
Një lider që mohon vendimet gjyqësore për krimet e shtetit të tij në kapitullin e ish Jugosllavisë, nuk e ka hallin e Iranit apo të qytetarëve iranianë, por të Serbisë autoritare që kalkulon rrënimin e projektit europian në rolin e “kalit të Trojës”.
Një vend kandidat që riciklon mitet nacionaliste të epokës së Millosheviqit, s’është partner, por rrezik për paqen, sigurinë e demokracinë.
Prandaj, siç e kemi konstatuar rregullisht në analizat e Institutit “Octopus”, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të merren seriozisht me Vuçiqin.
Tolerimi i tij për hir të “stabilokracisë” nuk është korniza adekuate që adreson kërcënimin. Është koha e fundit kur qasja e menaxhimit duhet të zëvendësohet me qasjen e kushtëzimit.
Pezullimi i negociatave, ndërprerja e IPA III dhe fondeve nga Plani i Rritjes, nuk do të ishin masa ndëshkuese, por standarde të politikës së zgjerimit për një kandidat që cenon vlerat fundamentale të projektit europian.
Shtetet e Bashkuara e kanë nisur paralajmërimin me sanksionet ndaj NIS dhe Aktin e Mbrojtjes Kombëtare, BE-ja e ka të qartë çka kërkojet pas Indeksit të Normandisë 2025, mirëpo masat konkrete mbeten zgjidhja e vetme.
BE-ja dhe SHBA-ja duhet të merren me Vuçiqin, tani, sepse përpjekja për ta barazuar sulmin kundër Iranit me Kosovën është agresion politik ndaj interesave euro-atlantike. Është kërcënimi më serioz për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.