BDI ka ngritur akuza ndaj koalicionit “S’Vleni”, duke pretenduar se “shkrirja” e partive është vetëm propagandë, ndërsa Alternativa vazhdon të figurojë si subjekt politik më vete në Regjistrin Qendror.
Sipas BDI-së, në dokumentet zyrtare Alternativa vazhdon të jetë parti aktive dhe kryetar i saj figuron Zekirija Berisha, i cili, sipas tyre, është shef i kabinetit të ministrit Bekim Sali.
BDI ngre pyetje edhe lidhur me mënyrën se si është bërë ndryshimi i kryetarit të Alternativës, duke kërkuar të dihet se kur është marrë ky vendim, cili organ partiak e ka miratuar dhe pse nuk është bërë publik.
“BESA vazhdon të ekzistojë me Bilall Kasamin kryetar. Alternativa vazhdon të ekzistojë me Zekirija Berishën kryetar”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie, dokumentet zyrtare tregojnë se subjektet vazhdojnë të kenë struktura dhe kryetarë të veçantë, pavarësisht pretendimeve për “shkrirje” në kuadër të “S’Vlen”.
BDI e ka cilësuar këtë situatë si “mashtrim nga themeli deri në majë”, duke pretenduar se partitë, kryetarët dhe interesat vazhdojnë të funksionojnë veçmas.