Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka përshëndetur gatishmërinë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse një gjë e tillë kërkohet nga opozita.
BDI ka bërë të ditur se e pranon këtë ofertë, duke kërkuar që deklarata e kryeministrit të shndërrohet menjëherë në veprim.
Sipas BDI-së, qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin për të vazhduar me politikat që, siç pretendojnë ata, kanë sjellë izolim evropian, degradim të marrëdhënieve ndëretnike, cenim të Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësim të përfaqësimit të shqiptarëve në institucione.
Partia opozitare kërkon që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të nisin përgatitjet për zgjedhje dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit.
“Oferta e kryeministrit duhet të shndërrohet në veprim. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme”, thuhet në reagim.
BDI e ka përmbyllur reagimin me kërkesën për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve: “Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje.”