Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > BDI-ja i reagon Kurtit: Deklaratat e tij për statusin e gjuhës shqipe janë të pavërteta e të papranueshme

BDI-ja i reagon Kurtit: Deklaratat e tij për statusin e gjuhës shqipe janë të pavërteta e të papranueshme

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

BDI-ja në reagimin e saj thekson se deklaratat e fundit të Kurtit, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut janë të pavërteta dhe të papranueshme.

Sipas kësaj partie Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, i miratuar si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe.

“Në mënyrë specifike, neni 1, paragrafi 2 i ligjit thekson qartë: ‘Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj’ Çdo pretendim i kundërt është një shtrembërim i fakteve dhe një mungesë e respektit ndaj arritjeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, theksohet në reagim.

BDI-ja në reagimin e saj thekson se është për keqardhje që Kurti jep deklarata që përputhen me narrativat që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

BDI-ja i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti të korrigjojë menjëherë deklaratat e tij dhe të mos shërbejë si mburojë për asnjë përpjekje që cenon barazinë. “Ky moment duhet të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit mes shqiptarëve, veçanërisht kur janë në rrezik arritjet tona historike. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të pranojnë kurrë asnjë hap prapa në të drejtat e tyre”.

Kryeministri Kurti, gjatë konferencë së përbashkët për media me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të mbajtur të hënën ka thënë se Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut duhet të marrë vendim të drejtë për Ligjin për gjuhët.

“Kjo është një çështje e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni të Veriut. Janë tri dispozita nuk janë zbatuar në të kaluarën dhe i përket Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë këtë. Duhet të presim për një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese atje. Në Maqedoni të Veriut nuk mund të thuhet se gjuha shqipe ka qenë zyrtare dhe tash po rrezikohet. Kjo nuk është e vërtet”, ka thënë Kurti, kur është pyetur nëse kanë diskutuar edhe për shqetësimet ngritura në Maqedoninë e Veriut sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe.

Powered by WordPress