Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Blinken sot në Tiranë

Blinken sot në Tiranë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sot do të qëndrojë për një vizitë njëditore në Tiranë. Gjatë kësaj vizite ai do të takohet me kryeministrin Rama dhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në kuadër të kësaj vizite ai do të takohet edhe me një grup afganësh të strehuar në shtetin shqiptar si dhe disa përfitues të bursave amerikane.

Por, përtej pjesës ceremoniale, pa dyshim se kjo vizitë po ndodh në një kontekst të acaruar ndërkombëtar, kur lufta ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë po ashpërsohet dita-ditës si dhe konflikti në Lindje të Mesme ndërmjet Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas po e rrezikon gjithë stabilitetin e rajonit.

Ndërkohë, stabiliteti edhe në Ballkanin Perëndimor, po bëhet dita ditës më fragjil. Në Maqedoni të Veriut do të mbahen shumë shpejt zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, dhe sipas hulumtimeve të opinionit publik mund të rikthehen në pushtet ato forca që kanë qene kundër Marrëveshjes së Prespës, për ndërrimin e emrit të këtij shteti, që i hapi rrugë integrimit të tij në NATO.

Po ashtu edhe në Mal të Zi, forcat pro ruse dhe pro serbe janë duke bërë të paqartë të ardhmen e vendit të vogël ballkanik, por që është shtet anëtar i NATO-së.

Ndërkohë, në Kosovë janë shtuar shumë tensionet kohën e fundit për shkak të vendimit të BQK-së, për ndalimin e dinarit serb në territorin e Kosovës që përdorej nga komuniteti. Me këtë rast Qeveria e Kosovës është akuzuar nga një sërë zyrtarësh të lartë të administratës amerikane se po e dëmton cilësinë e partneriteti ndërmjet dy shteteve. Serbia vazhdon me politikën e saj duale. Edhe duke u shfaqur si palë konstruktive para shteteve perëndimore edhe duke e minuar stabilitetin rajonal nëpërmjet konceptit nacional hegjemonist të  “Botë Serbe”. Edhe duke u furnizuar Ukrainën me armatim, por edhe duke mos u bërë pjesë e sanksionimit perëndimor ndaj Rusisë.

Në këtë klimë të pasigurisë dhe kaosit rajonal, sipas SHBA-ve, vetëm Shqipëria vazhdon të luaj një rol konstruktiv sipas interesave të botës trans-atlantike.  Prandaj, kjo vizitë është edhe mirënjohje për këtë rol pozitiv të shtetit shqiptar, që vazhdon të jetë faktori kryesor i stabilitetit rajonal.

Ndërkohë, në raport me Kosovën për SHBA-të, Shqipëria dy herë e ka shndërruar vetën në epi qendër të zhvillimeve politike. Herën e parë gjatë luftës në Kosovë dhe përsëri tash. Ndonëse për atë kohë është e kuptueshme. Sot është e non-sens logjik që Kosova të mos e gëzojë të njëjtin tretman diplomatik si Shqipëria në sytë e SHBA-ve.

/TV Arbëria