Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dukej dukshëm i lodhur dhe i mërzitur gjatë konferencës për shtyp në Turqi dhe është e qartë pse.
Mbijetesa e vendit të tij dhe e ardhmja e tij mbeten në balancë pasi donatori më i madh i Ukrainës ulet për bisedime në Arabinë Saudite me sulmuesin – dhe ai nuk është i ftuar, shkruan BBC.
Presidenti ukrainas e di gjithashtu se shanset e vendit të tij për t’i rezistuar – e lëre më për të mposhtur – trupat ruse pa ndihmën amerikane janë shumë të pakta.
Zelensky, në një konferencë të përbashkët me presidentin turk, Reccep Taiyyp Erdogan, me të cilin u takua sot derisa në Riad të Arabisë Saudite u takuan delegacionet e SHBA-së dhe Rusisë ku kryesisht folën për Ukrainan, tha se Ukraina duhet të përfshihet në çdo bisedim paqeje.
“Ukraina, Europa në një kuptim të gjerë – dhe kjo përfshin Bashkimin Europian, Turqinë dhe Britaninë e Madhe – duhet të përfshihen në biseda dhe zhvillimin e garancive të nevojshme të sigurisë me Amerikën”.
“Ne duam që gjithçka të jetë e drejtë dhe që askush të mos vendosë asgjë pas shpine… Ne nuk ishim të ftuar në atë takim ruso-amerikan në Arabinë Saudite. Ishte një surprizë për ne njësoj si për shumë njerëz të tjerë. Ne e morëm vesh nga mediat”.
Në territorin e Ukrainës, ai tha: “Pavarësisht se sa e vështirë është për ne, Ukraina nuk do të njohë ligjërisht pjesët e pushtuara nga Rusia. Lindja është e jona, Krimea është e jona dhe të gjitha qytetet dhe fshatrat e tjera që janë të rëndësishme për ne”.
“Ne e dimë se SHBA dhe disa partnerë europianë nuk e mbështesin anëtarësimin tonë në NATO. Mendoj se kjo është një dëshirë e madhe nga ana e Rusisë dhe përkon me këtë rezultat”.
Ai tha gjithashtu se kishte shtyrë një vizitë në Arabinë Saudite – që duhej të ndodhte këtë javë – deri më 10 mars.