Klubi i basketbollit Vëllaznimi ka konfirmuar se ka ndodhur një përleshje fizike ndërmjet lojtarëve në njërën nga stërvitjet e skuadrës.
Përmes një komunikate për media, klubi ka bërë të ditur se tashmë janë marr masat disiplinore për lojtarët e përfshirë në këtë përleshje.
“KB Vëllaznimi njofton tifozët “Kuqezinjët e Jakovës” dhe të gjithë adhuruesit e klubit se klubi i qytetit ka adresuar zhvillimet e fundit dhe konform rregullave të klubit ka marrë masa ndaj lojtarëve të përfshirë që kanë thyer kodin disiplinor dhe të sjelljes sportive. KB Vëllaznimi dënon rastin në fjalë dhe është i vendosur të luftojë që rastet e tilla të shëmtuara të qëndrojnë larg nga sporti. “
“KB Vëllaznimi siguron adhuruesit se klubi është i fokusuar vetëm në ndeshjen e radhës dhe shkon me motiv të lartë në Suharekë për duelin çerekfinal të Superkupës ndaj nikoqirit, KB Golden Eagle Ylli.”, thuhet në komunikatën e klubit.
Ndryshe, skuadra nga Gjakova do të përballet me Yllin në çerekfinale të Kupës së Kosovës.
/TV Arbëria