Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Bastiset shtëpia e të arrestuarit për spiunazh: Sekuestrohen 10 mijë euro, 2 milionë denarë e dokumente konfidenciale

Bastiset shtëpia e të arrestuarit për spiunazh: Sekuestrohen 10 mijë euro, 2 milionë denarë e dokumente konfidenciale

Prokuroria ka dhënë detaje për arrestimin e zyrtarit policor B.J, të dyshuar për spiunazh. Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Po ashtu të njëjtit i është bastisur edhe shtëpia në një fshat të Kamenicës, me ç’rast i janë sekuestruar 10 mijë euro, 2 milionë denarë serb, dokumente konfidenciale të Policisë e gjësende të tjera.

“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtë, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se Inspektorati Policor ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit në fjalë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, brenda afatit ligjor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do të parashtroj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.”, thuhet në njoftim.