Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kryer bastisje në lokacionin e një personi të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë vitit 1999.
Sipas njoftimit të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë Speciale, bastisja është kryer sot në lokacionin e të dyshuarit siç merr vesh Klankosova.tv bëhet fjalë për Momir Jakshiq në Zubin Potok, pas urdhrit të Gjykatës Themelore.
M.J. dhe M.B. janë arrestuar më 28 korrik 2026, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” në rajonin e Mitrovicës gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Gjatë bastisjes, autoritetet kanë sekuestruar prova materiale, për të cilat pretendohet se dëshmojnë se i dyshuari M.J. ka qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive e ish-Armatës së Jugosllavisë gjatë luftës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë nga ekipet relevante, ndërsa ka theksuar përkushtimin për trajtimin e të gjitha rasteve penale, përfshirë ato që lidhen me krimet e luftës.