Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Basri Beka: Protesta në Tetovë dëshmon se shqiptarët po zgjohen kudo ku jetojnë

Basri Beka: Protesta në Tetovë dëshmon se shqiptarët po zgjohen kudo ku jetojnë

Basri Beka ka reaguar pas protestës së mbajtur në Tetovë kundër heqjes së emrit “Iliria” nga sheshi qendror i qytetit dhe rikthimit të emrit “Marshall Tito”, duke e cilësuar atë si një sinjal të qartë të ndërgjegjësimit qytetar dhe kombëtar të shqiptarëve.

Sipas Bekës, protesta e sotme tregoi se shqiptarët po reagojnë sa herë që cenohen të drejtat, identiteti dhe dinjiteti i tyre kombëtar.

“Heqja e emrit ‘Iliria’ nga sheshi qendror i Tetovës dhe rikthimi i emrit ‘Marshall Tito’ nuk është thjesht një çështje administrative. Për shumë shqiptarë, kjo përfaqëson një përpjekje për të zbehur praninë historike dhe identitare shqiptare në hapësirën publike. Prandaj, protesta e sotme ishte e drejtë, e nevojshme dhe një mesazh se nënçmimi nuk mund të pranohet si normalitet”, ka deklaruar Beka.

Ai ka theksuar se në Maqedoninë e Veriut nevojiten më shumë protesta qytetare kundër çdo padrejtësie që prek të drejtat e shqiptarëve, duke shtuar se heshtja përballë diskriminimit vetëm sa e forcon atë.

Në reagimin e tij, Beka ka folur edhe për situatën në Shqipëri dhe Kosovë. Sipas tij, në Shqipëri protestat duhet të drejtohen kundër establishmentit politik, oligarkëve, kostos së lartë të jetesës dhe problemeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët.

Ndërkohë, ai ka vlerësuar se edhe në Kosovë ka nevojë për mobilizim qytetar kundër kapjes së shtetit, korrupsionit, inflacionit dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës.

“Një popull që proteston për të drejtat e veta është një popull që refuzon të nënshtrohet. Tetova sot dha një shembull se dinjiteti mbrohet, nuk dhurohet”, është shprehur Beka.