Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Basri Beka: PËRKRAHJE PËR PROTESTËN E 17 TETORIT – POR JO PËR HIPOKRIZI!

Basri Beka: PËRKRAHJE PËR PROTESTËN E 17 TETORIT – POR JO PËR HIPOKRIZI!

Basri Beka ka ndarë një postim në përkrahje të protestës së 17 tetorit në Tiranë.

Ai është shprehur se e përkrah fuqishëm këtë protestë në mbështetje të krerëve të UÇK-së.

Postimi i plotë:

PËRKRAHJE PËR PROTESTËN E 17 TETORIT – POR JO PËR HIPOKRIZI!

E përkrah fuqishëm protestën e 17 Tetorit në Tiranë, në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që padrejtësisht mbahen në Hagë tash pesë vjet.

Ata janë njerëzit që udhëhoqën luftën çlirimtare, që sollën lirinë e Kosovës dhe mbrojtën dinjitetin e kombit.

Sot po gjykohen me akuza të fabrikuara nga Serbia dhe me prova të montuara në laboratorë politikë.

Por njëkohësisht, nuk e përkrah mënyrën si po organizohet kjo protestë.

Roli i shoqatave të luftës është kthyer në spektakël bajat – struktura që prej vitesh nuk kanë bërë asgjë reale për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së.

Në vend që të vepronin në institucione dhe në terren diplomatik, ato po bëjnë spektakël në Tiranë – një shfaqje që i shërben më shumë imazhit të tyre sesa drejtësisë për luftëtarët tanë.
Gjykata e Hagës për UÇK-në ka dalë prej kohësh jashtë mandatit, qëllimit dhe juridiksionit të saj.

Po përdor prova të fabrikuara nga Serbia, po shkel Kushtetutën e Kosovës dhe po mban peng komandantët tanë përmes proceseve që bien ndesh me çdo standard të drejtësisë ndërkombëtare.
Përballë kësaj, institucionet e Kosovës kanë zgjedhur heshtjen.

As Ministria e Drejtësisë, as Presidentja, as Kuvendi, as OVL e UÇK-së – e aq më pak Partia Demokratike e Kosovës, që dikur pretendonte të ishte zëri i UÇK-së – nuk kanë ndërmarrë asnjë hap ligjor apo institucional për ta ndalur këtë padrejtësi.

Asnjë nismë për rishikimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, asnjë rezolutë parlamentare, asnjë padi institucionale ndaj abuzimeve të kësaj gjykate.

Madje, në Kosovë u injorua dhe nuk hetohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese, plotësisht antikushtetues, që lidhej me një rast paraburgimi – vendim që sot po përdoret si precedent nga Dhomat e Specializuara për të zgjatur padrejtësisht paraburgimin e krerëve të UÇK-së.

Kjo tregon qartë se një mekanizëm i brendshëm bashkëpunues po vepron në sinkron me Dhomat e Specializuara dhe me interesat e Serbisë – për të mbajtur peng drejtësinë dhe për të dëmtuar figurën e komandantëve të luftës.

Në vend që të organizonte udhëtime e tubime pa peshë reale, OVL e UÇK-së duhej të kishte lobuar fuqishëm në instancat ndërkombëtare.

Duhej të kërkonte hetim nga organizmat e pavarur të kontrollit dhe auditimit të financave publike në Bashkimin Evropian, për të zbuluar abuzimin me paratë e taksapaguesve evropianë që po financojnë një gjykatë thellësisht politike.

Një gjykatë që, në vend se të kërkojë drejtësi, po legjitimon padrejtësinë, po dhunon të drejtat themelore të njeriut dhe po minon themelet e drejtësisë ndërkombëtare.

Këto fonde publike të BE-së, që duhet të përdoreshin për paqe, zhvillim dhe forcim të shtetit ligjor, po përfundojnë në shërbim të një projekti politik të ndërtuar mbi insinuatat serbe e ruse, që synon të rishkruajë historinë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe të barazojë çlirimtarin me agresorin.

Prandaj, ajo që nuk mund të përkrahet është mënyra si po bëhet kjo protestë.

Shoqatat e dalura nga lufta, që sot bëjnë spektakël në Tiranë në vend që të marrin hapa realë ligjorë në Kosovë, tregojnë qartë se nuk kanë qëllim mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së, por mbulimin e dështimeve politike të të tjerëve.

Nëse do të kishin seriozitet, protestën do ta kishin lënë në dorë të degëve të tyre në Shqipëri dhe shoqatave patriotike shqiptare – jo të organizonin karvanë me pompozitet e shpenzime që sjellin vetëm fitim ekonomik për Tiranën (me mbi 10 milionë euro nga shpenzimet e protestuesve), ndërsa asgjë konkrete për të burgosurit në Hagë.

Ne, ish-luftëtarët e UÇK-së, nuk kërkojmë mëshirë.

Kërkojmë drejtësi reale, veprim ligjor dhe ndërgjegje kombëtare.

Kërkojmë mbrojtjen e Kushtetutës së Kosovës, të së vërtetës së luftës sonë dhe të dinjitetit të atyre që sakrifikuan për liri.

Liria nuk mbrohet me spektakël dhe heshtje – por me guxim, qëndrim dhe veprim konkret.