Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > BASRI BEKA : Nga qeverisja te spektakli i përplasjes: realiteti politik në Kosovë

BASRI BEKA : Nga qeverisja te spektakli i përplasjes: realiteti politik në Kosovë

SHKRUAN: BASRI BEKA

Para disa ditësh e quajta Albin Kurtin “gjeni marketingu”, dhe sa më shumë po kalon koha, aq më shumë po del se pikërisht aty e ka forcën kryesore: te manipulimi i vëmendjes publike. Debati publik është zhvendosur pothuajse tërësisht nga temat thelbësore të qeverisjes. Inflacioni, kostoja e jetesës, subvencionet në bujqësi, rritja e çmimit të energjisë, kontratat njëburimore, korrupsioni dhe nepotizmi kanë dalë nga qendra e vëmendjes politike.
Në vend të tyre, hapësira publike është mbushur me tensione, deklarata të ashpra dhe përplasje mes eksponentëve të ndryshëm politikë. Incidentet dhe reagimet e ndërsjella mes figurave të PDK-së dhe AAK-së, përfshirë deklaratat për “zgjidhje private të çështjeve” dhe gjuhën e ashpër politike, kanë prodhuar një klimë të nxehtë që dominon lajmet dhe rrjetet.
Pse? Sepse fokusi është zhvendosur me mjeshtëri drejt konflikteve, provokimeve dhe tensioneve politike.
Incidenti ku përfundoi i përfshirë Sami Lushtaku, deklaratat e tij se “do ta zgjidh privatisht çështjen”, reagimet skandaloze të Daut Haradinajt, pastaj retorika e Bekë Berishës me “nuk ia fali” — të gjitha këto e kanë zhvendosur debatin publik nga ekonomia, korrupsioni dhe dështimet konkrete, drejt një përplasjeje primitive emocionale e fizike.
Dhe këtu del paradoksi tragjik: nga këto veprime po krijohet përshtypja se armiku më i madh i UÇK-së po del vetë një pjesë e eksponentëve që flasin në emër të saj. Sepse sa herë që debati bie në nivel sharjesh, kërcënimesh e muskujsh, Albin Kurti fiton politikisht. Ai e ka kuptuar perfekt këtë mekanizëm dhe po e përdor me efikasitet maksimal.
Në krejt këtë kaos, në hije ka mbetur edhe Vjosa Osmani dhe LDK-ja. Por ironia më e madhe janë deklaratat e bartëses së listës së LDK-së, të cilat në shumë raste dolën edhe më skandaloze se vetë veprimet e “komandantëve të fortë”. Kur flitet publikisht për takime mes Albinit dhe Vuçiqit nëpër dhoma, atëherë si qytetar lind pyetja e thjeshtë dhe legjitime: nëse paskeni ditur apo dyshuar për këto gjëra, çfarë keni bërë ju si presidente për ta mbrojtur Kushtetutën dhe shtetin?
Në fund, qytetari ka mbetur pa opozitë reale dhe pa debat real. Njëra palë prodhon propagandë e manipulim, pala tjetër prodhon skandale, nervozë dhe vetëshkatërrim. Ndërsa shteti fundoset në varfëri, ikje të rinisë dhe stagnim ekonomik.