Analisti Basri Beka ka reaguar ashpër ndaj përmbajtjes së fundit të Big Brother në Klan Kosova, duke e akuzuar produksionin se ka tejkaluar kufirin mes argëtimit dhe propagimit ideologjik, shkruan TV Arbëria.
Në një reagim publik, Beka thekson se reality-show-t mund të jenë formë argëtimi, por jo mjete të inxhinierimit kulturor. Sipas tij, kur një program televiziv shndërrohet në platformë për mesazhe ideologjike, ai nuk mbetet më rrëfim personal i banorëve, por bëhet transmetim publik me përgjegjësi shoqërore.
“Askush nuk e konteston besimin privat të individit. Por televizioni kombëtar nuk është hapësirë personale. Ai formëson norma shoqërore, veçanërisht te të rinjtë,” shprehet Beka.
Ai vë në pah se vetë produksioni vendos rregulla strikte për fjalorin, sjelljen, diskriminimin dhe bullizmin, duke pranuar kështu ndikimin që përmbajtja televizive ka në shoqëri. Në këtë kontekst, Beka ngre pyetjen pse nuk ekzistojnë standarde të njëjta edhe për mos-promovimin e ideologjive.
Sipas tij, paraqitja e shamisë si detyrim moral apo si “rrugë shpëtimi” në prime-time nuk përbën zgjedhje individuale, por narrativë ideologjike që ushtron presion moral, sidomos mbi vajzat e reja. Ai rikujton se kultura shqiptare historikisht ka qenë sekulare dhe qytetare, ku feja ka pasur karakter privat dhe jo imponues në sferën publike.
“Klan Kosova ka të drejtë të bëjë spektakël për audiencë, por nuk ka të drejtë të përdorë audiencën për edukim ideologjik. Publiku nuk është laborator social,” thekson Beka.
Në fund, ai kërkon përgjegjësi editoriale nga televizioni: ose programi mbetet reality-show argëtues, ose pranon hapur se është platformë ideologjike. “Nëse standardet ekzistojnë për diskriminim, duhet të ekzistojnë edhe për propagim,” përfundon reagimi i Basri Bekës.