Basri Beka ka reaguar lidhur me kërcënimet dhe presionin ndaj gazetares Liridona Vejseli në Maqedoninë e Veriut, pas raportimeve të saj për rastin ku, sipas saj, disa klerikë myslimanë kanë refuzuar kryerjen e riteve të varrimit për shkak të flamurit shqiptar mbi arkivol.
Në reagimin e tij, Beka e ka cilësuar situatën si të papranueshme dhe ka shprehur mbështetje për gazetaren, duke thënë se ajo është përballur me presion vetëm pse ka raportuar atë që, sipas tij, ka ndodhur.
Beka pretendon se familjes i është thënë se ishte “nën ndikimin e Lëvizjes së Deçanit”, duke e lidhur këtë me praninë e flamurit shqiptar. Ai e kritikon ashpër këtë qasje dhe thotë se mbrojtja e identitetit kombëtar dhe e flamurit shqiptar nuk duhet të etiketohet si veprimtari politike apo si kërcënim.
“Po kërcënoni Liridonën, por po zgjoni një popull: Edhe unë jam Lëvizja e Deçanit!”, ka shkruar Beka.
Ai ka dënuar kërcënimet ndaj gazetares dhe ka bërë thirrje për reagim ndaj çdo forme të frikësimit të gazetarëve që raportojnë për çështje me interes publik.
Sipas Bekës, rasti nuk duhet të shihet vetëm si një debat fetar, por edhe si çështje që prek identitetin kombëtar dhe lirinë e shprehjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Edhe unë jam me flamurin. Edhe unë jam me Liridona Vejselin”, ka deklaruar Beka, duke shtuar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të ndihen të vetëm.