Në një postim të shpërndarë publikisht, Basri Beka ka reaguar ashpër ndaj mesazheve kërcënuese dhe shantazheve që i janë dërguar zonjës Ilirida Galabri, duke i cilësuar ato si një “sulm i pastër ekstremist islamik” dhe duke kërkuar veprime të menjëhershme nga autoritetet dhe platformat online.
Në postimin e tij, Beka thekson se pagëzimi është e drejtë personale dhe se kërcënimet ndaj një gruaje për shkak të vendimit të saj fetar janë “turpi më i madh” dhe provë se “islami politik nuk njeh liri individuale”.
Ai shton se ndërsa kushdo ka të drejtë të zgjedhë besimin, ata që dërgojnë mesazhe kërcënuese dhe fjalë urrejtjeje “nuk janë as besimtar e as qytetar – është bashkëpunëtor i terrorit dhe i prapambeturisë kolektive.”
Beka citon konkretisht një mesazh që i atribuohet një profili me emrin Raif Limani, të cilin e përshkruan si përmbajtës të “thirrjeve për vdekje, fyerjeve të ulëta dhe nxitjes së urrejtjes”, dhe thekson se veprimet e tilla “nuk janë diskutime politike; janë thirrje për dhunë”.
Në postim Beka kërkon ndër të tjera ndërhyrje të menjëhershme.
“Unë kërkoj menjëherë:
Nga autoritetet — nisni hetim të menjëhershëm, identifikoni dhe ndiqni penalisht autorët e këtyre kërcënimeve.
Nga platformat e rrjeteve sociale — hiqni menjëherë përmbajtjen që nxit dhunë, pezulloni dhe bllokoni profilet që përhapin këto thirrje.
Nga shoqëria civile dhe media — dënojeni këtë sjellje pa ekuivok; mos e normalizoni urrejtjen.”
Ai përfundon me mesazhin mbështetës për Iliridën dhe thirrjen për mbrojtje të lirive personale.
“Ilirida dhe të gjithë që guxojnë të mendojnë lirshëm nuk do të tremben. As shantazhi, as kërcënimet nuk mund ta ndalin të drejtën për të zgjedhur besimin apo mosbesimin. Autoritetet duhet të veprojnë menjëherë ndaj këtyre kriminelëve të tastierës. Ne qëndrojmë me Iliridën. Liria personale dhe dinjiteti njerëzor janë të panegociueshëm”.
