Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Basri Beka i përgjigjet Milazim Krasniqit: AI nuk është gjykatës i së vërtetës

Basri Beka i përgjigjet Milazim Krasniqit: AI nuk është gjykatës i së vërtetës

Basri Beka ka reaguar ndaj shkrimit të Milazim Krasniqit, duke kundërshtuar deklaratat e tij lidhur me përdorimin e inteligjencës artificiale dhe debatet për fenë, kombin shqiptar dhe historinë.

Beka thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të merret si argument përfundimtar për të përcaktuar të vërtetën.

“AI është mjet. Pianoja është mjet. Jo secili që prek tastet bëhet Mozart. ChatGPT është mjet — dallimi është kush di ta përdorë dhe me çfarë qëllimi”, ka shkruar Beka.

Ai ka kundërshtuar edhe pretendimin se shkrimi i tij ishte i mbushur me “të pavërteta, ekzagjerime, spekulime dhe shtrembërime”, duke e cilësuar këtë si shmangie nga debati.

“AI nuk është gjykatës i fundit i së vërtetës. Ajo është instrument që varet nga të dhënat me të cilat është trajnuar dhe nga mënyra se si e ushqen”, është shprehur Beka.

Duke iu referuar fesë, Beka ka thënë se ajo ka pasur dhe vazhdon të ketë një funksion të rëndësishëm, por ka akuzuar Krasniqin se, sipas tij, po kontribuon në rritjen e “inflamacionit të fesë” në shoqëri.

Në reagimin e tij, Beka është ndalur edhe te debati për Vestfalinë dhe historinë e shqiptarëve. Ai ka sqaruar se nuk ka pretenduar se para vitit 1648 nuk ekzistonin mbretëri apo shtete, por se Evropa nuk funksiononte ende sipas modelit modern të shtetit territorial-sovran.

“Vestfalia nuk i krijoi shtetet nga hiçi; ajo lidhet me konsolidimin e një rendi të ri të sovranitetit territorial”, ka shkruar ai.

Beka ka mbrojtur gjithashtu përdorimin e shprehjes “Kanuni i Lirisë”, duke sqaruar se nuk e ka paraqitur atë si kod juridik historik, por si një metaforë për traditën e vetëorganizimit, autonomisë dhe rezistencës shqiptare.

Në pjesën tjetër të reagimit, Beka e ka kritikuar Krasniqin për atë që ai e konsideron ndarje të shqiptarëve në “shumicë” dhe “pakicë” fetare.

“Kombi shqiptar nuk ndahet në ‘shumicë’ dhe ‘pakicë’ fetare. Ai qëndron mbi gjuhën, kulturën, historinë dhe vetëdijen e përbashkët”, ka theksuar Beka.

Në fund, ai ka thënë se debati për këto çështje nuk duhet të përcaktohet as nga inteligjenca artificiale dhe as nga narrativat që, sipas tij, ndajnë shqiptarët mbi baza fetare.