Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Basri Beka: “Gardiani provohet kur s’ka interes partiak”

Basri Beka: “Gardiani provohet kur s’ka interes partiak”

Basri Beka ka reaguar ndaj zotimit të Bedri Hamzës se PDK do të bëhet “gardiane e Kushtetutës”, duke theksuar se një deklaratë e tillë është e fortë, por mbetet të provohet në praktikë nëse do të jetë parim i qëndrueshëm apo vetëm rol opozitar.

Sipas Bekës, Kushtetuta nuk mbrohet vetëm në përballje me qeverinë apo kur një vendim politik dëmton një subjekt të caktuar, por atëherë kur cenohet modeli kushtetues i shtetit – karakteri laik, barazia para ligjit dhe sundimi real i ligjit.

Ai rikujton se PDK ka pasur raste kur, sipas tij, nuk e ka mbrojtur këtë standard, duke përmendur afrime e tolerime ndaj strukturave dhe klerikëve që kanë kërkuar ndërhyrje të fesë në shtet. Nëse sot flitet për “gardianë”, Beka thekson se distanca ndaj kërkesave të tilla duhet të jetë e qartë dhe publike.

Beka kërkon reagim jo selektiv, jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj institucioneve të pavarura kur, sipas tij, prodhojnë pasoja kundër rendit juridik. Ai përmend si shembull lirimin e një mësuesi të akuzuar për përhapje të propagandës radikale fetare nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si dhe raste kur krime me motivim ekstremist trajtohen si raste të zakonshme penale.

Në reagimin e tij, ai ngre shqetësime edhe për çështje që lidhen me mbrojtjen e rinisë nga indoktrinimi dhe ekonominë nga ndërhyrjet jashtë shtetit. Si rast konkret përmend Institutin për Certifikim Hallall të BIK-ut, duke e cilësuar si problem kushtetues për shkak të ushtrimit të funksioneve rregullatore mbi tregun nga një organizatë fetare.

Duke iu referuar Nenit 8 të Kushtetutës, i cili e përcakton Kosovën si shtet laik, Beka thotë se mbrojtja reale e Kushtetutës nënkupton reagim në të gjitha këto raste, edhe kur nuk ka përfitim politik. Në të kundërtën, sipas tij, deklaratat për “gardianë” mbeten vetëm fjalime parlamentare.