Basri Beka ka reaguar pas vendimit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) që flamuri i UÇK-së të vendoset në xhami, mesxhide dhe minare.
Beka e ka cilësuar këtë veprim si një hap të vonuar, duke thënë se BIK-u ka autoritet dhe mundësi të ndërhyjë edhe ndaj imamëve apo hoxhallarëve që, sipas tij, fyejnë heronjtë kombëtarë, përdhosin flamurin shqiptar apo glorifikojnë pushtuesin.
“BIK-u ka autoritet. Ka fuqi. Ka mundësi”, ka shkruar Beka, duke shtuar se nëse mund të urdhërojë vendosjen e flamurit të UÇK-së në minare, atëherë mund të marrë masa edhe ndaj atyre që e fyejnë atë.
Ai ka përmendur edhe zhvillimet pas tubimit në Deçan, duke pretenduar se reagimet publike e kanë shtyrë BIK-un të veprojë.
Në fund, Beka ka thënë se vendosja e flamurit nuk është e mjaftueshme dhe se mbështetja ndaj UÇK-së duhet të shoqërohet edhe me qëndrim ndaj atyre që, sipas tij, cenojnë figurën e çlirimtarëve dhe simbolet kombëtare.