Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Basri Beka: Bedri Hamza pagoi mbi 11 milionë euro borxhe të Agim Bahtirit pa kërkuar përgjegjësi për abuzimet dhe pa dërguar asnjë rast në prokurori

Basri Beka: Bedri Hamza pagoi mbi 11 milionë euro borxhe të Agim Bahtirit pa kërkuar përgjegjësi për abuzimet dhe pa dërguar asnjë rast në prokurori

Shkruan: Basri Beka

Dorëheqja e Memli Krasniqit nga drejtimi i Partisë Demokratike të Kosovës shënon fundin e një faze tranzicioni që partia e kishte nisur pas periudhës Thaçi–Veseli. Memli u përpoq ta paraqesë PDK-në si forcë moderne, të distancuar nga e kaluara, por në thelb nuk arriti ta mbajë partinë në nivelin e ndikimit politik që kishte dikur. Dorëheqja e tij, megjithëse e befasishme për publikun, duket e përgatitur dhe e sinkronizuar me strukturat e brendshme, të cilat tashmë e kanë përgatitur terrenin për Bedri Hamzën.

Bedri Hamza shihet si kandidatura më e pranuar — jo vetëm për faktin se ka përkrahjen e kryetarit në largim, por edhe sepse strukturat kryesore të PDK-së e shohin si figurë të qetë, me përvojë institucionale dhe pa skandale personale. Ish-ministër, ish-guvernator dhe kryetar komune — në letër, profili i tij duket i pastër dhe teknikisht solid. Por pyetja që lind është: a mjafton kjo për ta udhëhequr PDK-në në betejën më të vështirë politike të saj?

Hamza është i njohur si njeri i urtë dhe i kompromisit. Por pikërisht këtu qëndron dilema: PDK-së sot nuk i duhet një “menaxher i qetë”, por një lider që përballet, që sfidon dhe që rikthen energjinë politike që e bëri dikur këtë parti forcën më të madhe në vend. Kompromisi me Vetëvendosjen, në kushtet aktuale, është rrugë drejt shuarjes politike, jo drejt konsolidimit.

Për më tepër, Hamza nuk ka treguar gatishmëri për të marrë përgjegjësi politike në momente kur duhej vendosur qartë. Si kryetar i Mitrovicës së Jugut, për katër vite ai u mjaftua me administrim rutinor, duke paguar mbi 11 milionë euro borxhe të trashëguara nga administrata e Agim Bahtirit — pa kërkuar përgjegjësi, pa dërguar asnjë rast në prokurori dhe pa guxim politik për ta pastruar institucionin nga abuzimet e njohura. Kjo heshtje, në sytë e opinionit, mund të lexohet si “pazar demokratik” ose si kompromis i heshtur. Këto janë pika që kundërshtarët e tij, brenda dhe jashtë PDK-së, do t’i përdorin — dhe me të drejtë.

Nëse Bedri Hamza dëshiron të jetë më shumë se një kryetar formal i PDK-së, ai duhet menjëherë të tregojë lidership. Duhet ta çajë rrjetin e interesave që ndan elektoratin e partisë sipas klaneve lokale — si në rastin e Ramiz Lladrovcit — dhe ta rikthejë autoritetin politik të qendrës. Në të njëjtën kohë, duhet t’i mbyllë gojët atyre që mendojnë se do të jetë “kryetar i kapur” nga figura të forta si Sami Lushtaku apo të tjerë që e trajtojnë partinë si pronë private.

Një tjetër test për Hamzën do të jetë raporti i tij me figurat historike të PDK-së. Rikthimi i disa prej tyre — si Xhavit Haliti apo Adem Grabovci — nuk është çështje nostalgjie, por strategji politike. Vetëvendosja e ka ndërtuar për shumë vite narrativën se PDK-ja është sinonim i krimit dhe korrupsionit, por fakti është se asnjë nga këta emra nuk është dënuar për ndonjë rast konkret. Përkundër retorikës së pandërprerë të Albin Kurtit, sot dihet se rreth 60% e emërimeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj janë bërë gjatë qeverisjes së tij — çka dëshmon një kapje të dukshme të sistemit të drejtësisë nga qeveria aktuale. Kjo tregon se narrativa kundër PDK-së ka qenë më shumë politike e propagandistike sesa ligjore.

Prandaj, rikthimi i këtyre figurave në strukturë do ta rrëzonte këtë narrativë dhe do të tregonte se PDK-ja nuk i nënshtrohet më “reformave sipas shijes së Kurtit”.

Reforma që i duhet PDK-së nuk është ajo që e dëshiron Albin Kurti — pra, demonizimi dhe neutralizimi i partisë deri në kufirin elektoral. PDK duhet të bëjë reformë që rikthen besimin e elektoratit të saj tradicional dhe e paraqet si alternativë serioze për pushtet.

Nëse Bedri Hamza e kupton këtë balancë — mes moderimit dhe vendosmërisë, mes reformës dhe ruajtjes së identitetit politik — atëherë ai mund ta ringjallë PDK-në. Por nëse e ndjek rrugën e kompromisit dhe heshtjes, atëherë ai do të mbetet vetëm një figurë kalimtare në historinë e një partie që dikur udhëhiqte Kosovën, e sot rrezikon të mbetet spektatore.