Analisti Basri Beka ka publikuar një shkrim në Facebook me titull “Albin Kurti – Gjeniu i Marketingut”, ku analizon strategjinë politike të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Në shkrimin e tij, Beka vlerëson se forca politike e Kurtit dhe e Lëvizja Vetëvendosje qëndron në aftësinë për ta shndërruar politikën në marketing emocional, duke u fokusuar te emocionet si shpresa, zemërimi, siguria dhe identiteti kolektiv.
Sipas tij, Kurti ka arritur të kuptojë më mirë se kundërshtarët psikologjinë kolektive të shoqërisë kosovare dhe përmes mesazheve politike ka adresuar frikën, zhgënjimin dhe dëshirën për ndryshim tek qytetarët.
Beka thekson se për prindërit është ofruar narrativa e sigurisë dhe e një shteti funksional, për punëtorët dhe shtresat më të varfra shpresa për përfaqësim dhe drejtësi sociale, ndërsa për bizneset mesazhi i stabilitetit institucional dhe i një tregu më pak të korruptuar.
Në të njëjtën kohë, ai vlerëson se një nga strategjitë më të forta të Kurtit ka qenë ndërtimi i narrativës së “kastës së vjetër”, duke i paraqitur kundërshtarët politikë si simbol të korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Sipas Bekës, pikërisht kjo qasje ka bërë që sulmet tradicionale politike ndaj Kurtit shpesh të mos kenë efekt, pasi përkrahësit e tij lidhen me një ndjenjë morale dhe emocionale përtej debateve teknike politike.
Në fund, ai shkruan se Kurti nuk fitoi vetëm për shkak të dobësisë së kundërshtarëve, por sepse ka ndërtuar një nga makineritë më efektive të marketingut politik në historinë moderne të Kosovës.