Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Basri Beka akuzon portalet islamike dhe BIK-un për “falsifikim të historisë”: Kërkon hetim nga Prokuroria

Basri Beka akuzon portalet islamike dhe BIK-un për “falsifikim të historisë”: Kërkon hetim nga Prokuroria

Basri Beka ka ngritur akuza të forta ndaj disa portaleve islamike dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), duke i kritikuar për mënyrën se si, sipas tij, po paraqitet roli i BIK-ut në historinë dhe çlirimin e Kosovës.

Në një reagim të tij, Beka pretendon se portalet si RTI dhe Shënjestra po përdorin deklarata të personaliteteve publike e politike të bëra në organizime të BIK-ut për të krijuar, sipas tij, një narrativë se kjo bashkësi dhe strukturat e saj kanë qenë “kontribuues të mëdhenj dhe determinues” në lirinë e Kosovës.

Beka e cilëson këtë si “maskaradë” dhe thotë se fjalët e mira të thëna nga personalitete publike gjatë vizitave apo organizimeve fetare po përdoren si material propagandistik.

Ai ngre gjithashtu pikëpyetje lidhur me funksionimin e institucioneve fetare dhe arsimore gjatë viteve ’90.

“Si është e mundur që vetëm Medreseja ‘Alauddin’ dhe Fakulteti i Studimeve Islame të mos preken nga Serbia gjatë viteve ’90, ndërsa Universiteti i Prishtinës dhe i gjithë sistemi arsimor shqiptar u detyruan të funksiononin në ilegalitet?”, pyet Beka.

Sipas tij, Fakulteti i Studimeve Islame është themeluar më 15 gusht 1992, bazuar në një vendim të Kuvendit të Bashkësisë Islame për Kosovë, Serbi dhe Vojvodinë, ndërsa puna e tij ishte paraparë të niste në vitin akademik 1992/93.

Beka vë në pikëpyetje edhe faktin se institucioni funksiononte në Prishtinë në atë periudhë, ndërsa sistemi arsimor shqiptar vepronte në kushte të ilegalitetit.

“Serbisë nuk i pengonte feja apo i pengonte identiteti shqiptar?”, shprehet ai.

Në reagimin e tij, Beka pretendon gjithashtu se sot po tentohet të ndërtohet një narrativë sipas së cilës BIK-u ka qenë faktor përcaktues në çlirimin e Kosovës.

Ai përmend kontributin e aktivistëve, mësuesve dhe arsimtarëve shqiptarë, Shoqatës “Nënë Tereza”, rezistencës qytetare dhe UÇK-së, duke theksuar se pjesëtarët e UÇK-së kishin formime të ndryshme fetare.

Beka kritikon edhe listën e 37 personave që, sipas tij, BIK-u i paraqet si “shehidë” dhe dëshmorë të UÇK-së. Ai pretendon se disa prej rasteve në këtë listë nuk përputhen me kronologjinë dhe dokumentet e luftës dhe kërkon që këto të verifikohen.

Ndër rastet që përmend janë Muhamet Biçaku, Mustaf Veseli dhe Mulla Hajdini, për të cilët Beka jep versione të ndryshme lidhur me kohën dhe rrethanat e vrasjes së tyre.

Në fund të reagimit, Beka kërkon që dokumentet dhe pretendimet e tilla të shqyrtohen nga organet kompetente, duke iu referuar edhe dispozitave penale për legalizimin e përmbajtjes së rreme.

Ai thotë se historia e Kosovës duhet të mbështetet në dokumente, data dhe dëshmi dhe jo në narrativa politike apo fetare.

“Historia nuk është pronë e BIK-ut. As e portaleve islamike. Historia është e popullit dhe duhet mbrojtur me fakte”, përfundon Beka.