Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Basketboll, flet Dushku për ​licencimin, borxhet e klubeve dhe praninë e tifozëve

Basketboll, flet Dushku për ​licencimin, borxhet e klubeve dhe praninë e tifozëve

22 shtatori do të jetë data kur edicioni ri i Superligës së Kosovës në basketboll do ta nis rrugëtimin, me klubet që kanë qenë mjafta aktiv në afatin kalimtar për t’i përforcuar radhët e tyre, duke paralajmëruar kështu një tjetër sezon spektakolar.

Nga Federata e Basketbollit thonë se përgatitjet për nisjen e sezonit të ri janë bërë Sekretarja e përgjithshme e federatës, Elvira Dushku ka deklaruar se të gjitha klubet e Superligës e kanë kryer procesin e licencimit për gara dhe janë të gatshme për kampionat.

“Procesi i licencimit është proces i cili është viti i tretë që Federata e Basketbollit e implementon, i zbaton kriteret për licencim dhe çdo vit shkon duke e rritur nivelin e profesionalizimit të klubeve dhe mund të them që prej vitit të parë që procesi ka qenë shumë i vështirë dhe jo aq i kënaqshëm për Federatën e Basketbollit, në vitin e dytë ka qenë më mirë, ndërsa këtë vit klubet definitivisht kanë punuar shumë më mirë në aspektin e përgatitjes së kritereve për licencim. Kjo ia ka ndihmuar edhe në procesin e licencimit në ministri…Si Federatë e Basketbollit jemi të kënaqur me bashkëpunimin e klubeve, me gatishmërinë që e kanë shprehur klubet për të punuar drejt këtij procesi për licencim i cili normalisht që është në shërbim të tyre”, tha Dushku.

Por, përtej licencimit, Dushku po ashtu ka bërë të ditur se janë disa klube që kanë borxhe të pa shlyera kundrejt federatës dhe nëse ato nuk kryhen sipas afateve të përcaktuara, mund të privohen nga zhvillimi i ndeshjeve në Superligë.

“Po, po kanë klubet, është një shumë jo shumë e mirë për t’u përmendur që klubet gjatë edicionit të kaluar por edhe edicioneve të mëparshme janë grumbulluar borxhet. Tashmë e kemi bërë një marrëveshje me mirëkuptim të dy palëve që të ndarë në tri këste edhe klubet e kanë një datë të caktuar, duke filluar prej 20 tetorit, 20 janar dhe 20 prill që duhet t’i kryejnë obligimet ndaj Federatës së Basketbollit dhe nëse ndodh që më datën 21, nuk është kryer obligimi, atëherë është bërë e qartë, është edhe në propozicionet e garave që ndeshja nuk mund të zhvillohet nëse një klub ka obligime ndaj Federatës së Basketbollit të Kosovës.”, ka bërë të ditur Dushku.

Lajmi jo i mirë që do ta përcjellë nisjen e këtij sezoni është që edhe më tutje mbetet në fuqi vendimi për mos-udhëtimin e tifozëve mysafirë dhe për këtë, Dushku thotë se tashmë janë të njoftuara të gjitha klubet.

“Ne jemi takuar dy herë me klubet e Superligës së meshkujve dhe së fundit jemi takuar javën e kaluar së bashku me kryetarin në zyre të federatës me klubet e Ligës së Parë dhe klubet e Superligës së Femrave edhe Ligën e Parë të Femrave. Me Superligë jemi takuar me të përfunduar edicioni, ekipet e meshkujve, edhe para fillimit, pra javën e kaluar para fillimit të edicionit, kështu që ne ua kemi bërë të qartë që vendimi për mos-udhëtim të tifozëve do të mbetet në fuqi, kështu që nuk do të ketë tifozë të organizuar në udhëtime, as në organizime të federatës, si Superkupa që organizon me një klub, e as në Final Four. Ky vendim pra do të mbetet në fuqi, pra nuk do të ketë udhëtim të tifozëve në mënyrë të organizuar.”, theksoi Dushku.

Jashtë fokusit të FBK-së para sezonit të ri nuk ka mbetur as basketbolli i femrave. Dushku zbulon për KosovaPress, risinë që po e pret kjo kategori e basketbollit kosovarë.

“Në aspektin e Superligës së Femrave, Federata e Basketbollit të Kosovë këtë vit ka vendosur që ta ndajë basketbollin e femrave nga ai i meshkujve në aspektin e mediave sociale, por edhe në të njëjtën kohë është duke e përgatitur një krijim të identitetit të veçantë për basketbollin e femrave që mos të jenë nën hijen e meshkujve. Tash e tri vite me radhë Federata e Basketbollit merr përsipër shpenzimet e personave zyrtarë të ndeshjeve të Superligës së Femrave dhe të të gjitha ligave të femrave, i merr përsipër blerjen e fanellave, ndërsa tani së fundi do ta bëjmë një krijim të identitetit të veçantë për basketbollin e femrave”, shtoi Dushku.

Sa i përket përfaqësuese se Kosovës në basketboll, Dushku pranoi se humbja nga Danimarka dhe moskualifikimi tutje për në Eurobasket 2025, ishte rezultat zhgënjyes, por konfirmoi se Rami Hadar do të vazhdojë të jetë në krye të “Dardanëve”.

“Në fakt është një rezultat që nuk e kemi pritur. Kemi pritur që në atë ndeshje djemtë tanë duke pasur parasysh ndeshjen kundër Zvicrës në shtëpi, pastaj ndeshjen kundër Danimarkës së mysafir, pavarësisht që kemi humbur, ne kemi arritur që nga minus 19 të rikuperohemi dhe deri në fund të luftojmë dhe më pas me Zvicrën me fitu, kemi pritur që të kemi një paraqitje shumë më të mirë se sa që ka ndodhur ajo në Prizren. E kemi marrë një raport nga trajneri Rami Hadar, jemi duke e analizuar, i ka dhënë ai disa propozime të tij se si mund të shkojmë tutje edhe po besoj që bashkarisht edhe me trajnerin do të fillojmë të punojmë në atë drejtim që ta ripërtërijmë sa më parë përfaqësuesen e Kosovës, t’iu hapim rrugë djemve të rinj.”, tha në fund Dushku.

Sekretarja e FBK-së po ashtu bëri të ditur se perceptimi për zhvillimin e basketbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, është në nivele mjaftë të lartë në aspektin pozitiv dhe këtë e vëren nga takimet dhe mbledhjet që ka nëpër botë në kuadër të FIBA-së.

/TV Arbëria

Powered by WordPress