Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Bashkimi” i Perëndimit dhe Lindjes kundër Kosovës

“Bashkimi” i Perëndimit dhe Lindjes kundër Kosovës

Asgjë nuk e ka “bashkuar” më shumë si Perëndimin ashtu edhe Lindjen, sesa rregullorja e re e BQK-së, për ndalimin e dinarit serb në territorin Kosovës. Ky vendim, ndonëse për motive të ndryshme, u kritikua si nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, Rusia dhe Kina.

Fillimisht Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, në lidhje me dinarin serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe, janë duke rritur panevojshëm tensione etnike dhe si pasojë ia kufizojnë mundësitë e Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare. Me këtë rast diplomati i lartë amerikan në Prishtinë ka kërkuar shtyrjen e këtij vendimi.

Fillimin e zbatimit të kësaj rregulloreje e ka kritikuar edhe Bashkimi Evropian. Uninioni e ka quajtur si veprim uniltareal të Prishtinës hyrjen në fuqi me 1 shkurt të rregullores së BQK-së. Po ashtu, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë një periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb. Për më shumë, zëdhënsi i BE-së, Petar Stano ka kërkuar adresim të kësaj teme në dialogun që zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, për shkaqe tjera kundër Kosovës sa i përket këtij vendimi është shprehur edhe Federata Ruse. Përfaqësuesja zyrtare e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se gjendja e serbëve të Kosovës fjalë për fjalë po përkeqësohet dita-ditës.

Shkeljet e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara janë bërë një rutinë e zymtë. “Niveli i tensionit ndëretnik po rritet me shpejtësi. Pas vendimit për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb, duke i hequr kështu popullatës vendase joshqiptare mundësinë e marrjes së pensioneve, përfitimeve dhe pagesave të tjera, “autoritetet” rajonale filluan një fazë të re të likuidimit të strukturave administrative dhe tregtare përtej kufijtë e saj, duke përfshirë rrjetin e degëve të Postës Serbe. Bëhen kontrolle të paligjshme, konfiskohen dokumente dhe para të gatshme, ndalohen punonjësit dhe krijohen çështje penale” ka përfunduar ajo.  

Në këtë linjë ishte edhe reagimi i Kinës. Zyrtarë të këtij shteti deklaruan se “veprimet e njëanshme nuk i kontribuojnë përpjekjeve për zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës”.

Ky reagim në unison i shteteve si armike ashtu edhe mike të Kosovës, duke e kualifikuar këtë të fundit si nxitëse të tensioneve etnike, ka krijuar dilema se a është rezultat i suksesit të politikës së jashtme të Serbisë dhe me Lindjen edhe me Perëndimin, apo i qasjes strategjike të Qeverisë së Kosovës që të jetë edhe kundër të gjithëve, me qëllim vendosjen  ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në çdo cep të Kosovës, siç kanë deklaruar zyrtarët e pushtetit?

 

/TV Arbëria