Shkruan: Afrim Kasolli
Publikimi së fundmi i dokumentit të strategjisë nacionale amerikane të administratës Trump po shihet qartë se shënon një kthesë serioze sizmike gjeopolitike sa i përket angazhimit global të Uashingtonit.
Analistë të ndryshëm kanë vënë në pah, se kjo kthesë nuk është diçka befasuese, ngase që nga fjalimi i Zëvëndes presidentit JD Vance në Konfercën e Sigurisë në Munih, kur kishte akuzuar liderët e BE-së se “janë duke e shtypur lirinë e fjalës, ta parandalojnë imigrimin ilegal si dhe duke i mohuar interesat e mirëfillta të publikut”. Kurse pak kohë më vonë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, në selinë e NATOS-së në mes të Brukselit, ua kishte bërë të ditur aleatëve evropianë se tash e tutje duhet të mendojnë më shumë për sigurinë e tyre kolektive, ngase SHBA-të do të jenë te fokusuar në zona tjera nevralgjike gjeopolitike.
Ndërkaq, ky dokument për më tepër pohon, se Evropa po përballet me mundësinë e zhdukjes së saj si civilizim për shkak të migracionit. Për më tepër ai jo vetëm që e konfirmon kundërshtimin e administratës Trump nga BE-së, por edhe e manifeston synimin për ta kultivuar një lloj rezistence të brendshme për ta korrigjuar këtë trajektore. Dhe një gjë e tillë mund të behët duke i mbështetur forcat nacionaliste të ekstremit të djathtë. Pra krijimi i një Evrope ideologjike sipas botëkuptimit të administratës aktuale amerikane.
Në anën tjetër, drejtoresha e Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Itali, Nathalie Tocci, i ka thënë mediumit britanik the Guardian se deri më tani evropianët kanë gjykuar gabimisht se presidenti Donald Trump edhe pse është i “paparashikueshëm dhe i paqëndrueshëm në fund ai do të jetë i menaxhueshem” Por sipas saj, që nga fillimi ka ka qenë e ditur se interesi i tij mbetet relaksimi i raporteve SHBA-Rusi. Në këtë drejtim nuk ka lajkë që e shpëton projektin transatlantik. Duke u bazuar edhe në shumë zëra që po bëhen gjithnjë e më të qarta, se SHBA-të kanë filluar ta projektojnë vetën si fuqi Pacifike, dhe duke u fokusuar në masë të madhe në Hemisferën Perëndimorë, pra me qëllim që ta ruajnë të pacenuar hegjemoninë e tyre në gjithë kontinentin amerikan.
Është interesant se ky dokument u përshëndet edhe Moska zyrtare. Në këtë drejtim, Kremlini ka pohuar se strategjia e fundit e sigurisë kombëtare të Donald Trump paraqet një ndryshim inkurajues dhe i cila përputhet në masë të madhe me vizonin gjeopolitik rus për ndarjen e “zonave të interesit”.
Ky përkim i çuditshëm ndërmjet këtyre gjykimeve si dhe zhvillimeve në luftën e Ukrainës për shkak të insistimit amerikan për një paqe imediate qoftë edhe me kushtin e lëshimeve territoriale nga Kievi, janë dëshmi e hapur e presioneve që është duke i përjetuar BE, ndërmjet Uashingtonit në njërën anë dhe Moskës në anën tjetër. Në shenjë zemërimi për këto dinamika, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costae, e ka kritikuar këtë qasje amerikane në politikën e brendshme të BE-së. Dhe i njëjti i ka bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë të përmbahet nga kwto praktika, sepse sipas tij, SHBA-ja nuk mund të zëvendësojë qytetarët evropianë në marrjen e vendimit se cilat janë partitë e duhura e cilat janë të gabuara” si dhe “SHBA-ja nuk mund të zëvendësojë Evropën dhe vizionin e saj për lirinë e shprehjes”,
Sidoqoftë, sfida kryesore e BE-së mbetet fakti se ajo as nuk është gatshme të mbijetojë pa ndërhyrjen e SHBA-ve, përkundër dëshirës së saj. Megjithatë është e frikshme indiferenca e politikës në Kosovë nga këto trandje globale.