BE-ja deklarohet për kodin postar të strukturave paralele serbe në faturat e energjisë së Elektroseverit.
Kodi postar i strukturave paralele serbe gjendet në faturën e energjisë së Elektroseverit.
Madje, në shpërndarje të faturave të rrymës në katër komunat veriore te qytetarët figuron edhe termi “Kosovska Mitrovica” që është term jokushtetues.
Lidhur me këtë çështje, sot për tëvë1 janë deklaruar edhe nga BE-ja, duke thënë se menaxhimi i faturimit është përgjegjësi e Elektroseverit.
Gjithashtu, nga BE-ja thonë se kërkohet një periudhë tranzicioni përpara se kjo kompani të jetë plotësisht funksionale dhe të aftë për të kryer plotësisht detyrat e saj.
“Menaxhimi i faturimit, duke përfshirë adresat në të cilat dërgohen faturat, është përgjegjësi e Elektrosever, e cila është një kompani e regjistruar dhe licencuar sipas kornizës legjislative të Kosovës falë Marrëveshjeve për Energjinë të lidhura në kuadër të Dialogut.Që nga fillimi i janarit 2024, Elektrosever filloi të operojë, duke përfshirë nënshkrimin e kontratave me klientët dhe lëshimin e faturave. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtimin e duhur për të zbatuar plotësisht Udhërrëfyesin e Energjisë 2022. Megjithatë, kërkohet një periudhë tranzicioni përpara se kompania të jetë plotësisht funksionale dhe të aftë për të kryer plotësisht detyrat e saj, ndër të tjera për aktivitetet e nevojshme informuese për të siguruar regjistrimin e të gjithë konsumatorëve të energjisë elektrike dhe për përmirësimin e infrastrukturës” thuhet në përgjigjen e BE-së.