Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, njoftoi se punimet po vazhdojnë në kyçjen në Mazgit, në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, por për gjendjen në këtë rrugë e la më shumë përgjegjëse ujësjellësin “KRU Prishtina”.
“Me të drejtë është ngritur si çështje publike gjendja në këtë segment rrugor, pasi i njëjti është rehabilituar në vitin 2023 dhe më pas është intervenuar edhe në vitin 2025. Fatkeqësisht, segmenti ka degraduar përsëri. Sipas vëzhgimeve tona të para, dëmtimet dyshohet se janë shkaktuar nga depërtimi i ujërave nën trupin e rrugës, në zonën ku kalojnë gypat e ujësjellësit të “KRU Prishtina””, ka shkruar ai.
Aktualisht, Basha tha se janë duke e analizuar situatën dhe se do të vazhdojnë koordinimin me “KRU Prishtina” për ta identifikuar shkakun e saktë dhe “për ta adresuar në mënyrë përfundimtare, në mënyrë që të parandalohen dëmtime të tjera në të ardhmen”.
Por, Basha tha se s’mundi të qëndrojë “indiferent” ndaj kësaj prishje, prandaj kanë intervenuar.
“Megjithatë, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij segmenti për qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve, nuk kemi mundur të qëndrojmë indiferentë. Për këtë arsye kemi ndërmarrë një intervenim të përkohshëm, me qëllim garantimin e qarkullimit të sigurt, deri në zgjidhjen e plotë dhe të qëndrueshme të problemit”.