Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha ka pyetur pse duhet të ekzistojë komisioni për administrimin e votimit të fshehtë, për Kryesi të Kuvendit.
Ai ka përmendur se për votimin e hapur, askush nuk është pyetur se a duhet të votohet në atë formë.
“E kanë shpik pra vetëm si formë pengese, sepse nuk besoj që bllokimi i organit më të lartë në Republikë arsyetohet me shpikje procedurale!“, ka shkruar Basha.
Tutje ai e ka akuzuar opozitën e fundit parlamentare për bllokim, teksa ka shtuar se nuk po votohet ‘Komisioni për Gjykatën Speciale’, por ai për votim të fshehtë.
“Tash askush NUK di me shpjegu, pse gjithë kjo frikë nga Komisioni dhe Votimi i Fshehtë? Nuk jemi duke ju kërku me votu Komision për votimin e Gjykatës Speciale, as Zajednicës, as Aministimin e Strukturave Kriminale të Vuçiqit, por për me realizu zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit! Pra nuk është proces që i bën favor Serbisë, por Kosovës!”, ka vazhduar Basha.
Sipas tij, seanca konstituive duhet të ketë karakter solemn.
“Gjykata ka tregu se sanca konstituive ka karakter solemn – ditë feste – ku të gjithë deputetët do duhej të votonin Kryesinë, dhe jo ta bëjnë preferencë politike preferencat individuale se kush me qenë Kryetar e kush nënkryetar, e aq më pak me blloku me procedura të shpikura!”, ka thënë Basha.