Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka theksuar përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.
Ai e ka bërë këtë gjatë takimit me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestas Mathisen.
KFOR-i ka bërë të ditur se takimi ishte një mundësi që komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja të ndajë qëllimin e tij dhe të shkëmbejë pikëpamjet e tij për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor.
Vizita ishte pjesë e shkëmbimeve të rregullta të Komandantit të KFOR-it me homologët kryesorë në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit) në rolet e tyre përkatëse si reagues të tretë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Barduani e mori nën kryesim forcën shumëkombëshe të udhëhequr nga NATO-ja nga muaji i kaluar.
Ai pas marrjes së detyrës ka thënë se siguria në Kosovë është përmirësuar dukshëm nga periudha e pasluftës.
Barduani foli edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë, teksa shtoi se zgjidhja e sfidave të sigurisë nuk është ushtarake, por politike.
“Gjithashtu i bëj thirrje të dyja palëve, institucioneve në Kosovë dhe Qeverisë së Serbisë, që të angazhohen në dialog politik. Zgjidhja e sfidave të sigurisë nuk është në fund të fundit ushtarake, por politike. Zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal”, kishte thënë ai ditë më parë.