Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Bardhyl Mahmuti me kërkesë publike ndaj drejtuesve të PDK-së: Zhbërja e Gjykatës Speciale të jetë kusht për bashkëpunim politik

Bardhyl Mahmuti me kërkesë publike ndaj drejtuesve të PDK-së: Zhbërja e Gjykatës Speciale të jetë kusht për bashkëpunim politik

Shkrimtari dhe ish-veprimtari politik Bardhyl Mahmuti u ka drejtuar një kërkesë publike drejtuesve të PDK-së, duke kërkuar që zhbërja e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të vendoset si kusht për çdo marrëveshje politike në Kuvend.

Në letrën e tij, Mahmuti shpreh shqetësimin se vendimi që pritet në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mund të ketë pasoja për luftën çlirimtare të Kosovës, duke iu referuar paralajmërimeve të disa juristëve ndërkombëtarë.

Ai argumenton se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë gjatë procesit gjyqësor dhe ngre shqetësime për atë që e cilëson si njëanshmëri të Dhomave të Specializuara, duke përmendur edhe statistika të publikuara nga avokati Luka Misetiq mbi vendimet e Panelit të Apelit.

Mahmuti u bën thirrje partive politike që të lënë mënjanë dallimet dhe të arrijnë një konsensus për zhbërjen e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Sipas tij, PDK-ja duhet të mbështesë propozimet e partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, nëse një prej kushteve është ndërmarrja e hapave për shfuqizimin e këtyre institucioneve.