Disa banorë të Lagjes “Dardania” në Prishtinë kanë raportuar se kanë pranuar letra kërcënuese në dyert e shtëpive të tyre, përmes të cilave u kërkohet që të lirojnë pronat në afërsi të zonës ku po ndërtohet Xhamia e Madhe.
Banori i kësaj lagjeje, Metiner Rexha, ka thënë se letra kërcënuese u hodh gjatë natës dhe se banorët ndihen të kërcënuar për veten dhe familjet e tyre.
Ai është shprehur se incidenti po ndodhë në kohën kur po vazhdojnë procedurat gjyqësore kundër vendimeve të Komunës për lirimin e hapësirave që i posedojnë, për të cilat thonë se posedojnë dokumentacion të rregullt.
“Gjatë natës, në oborret e disa shtëpive në Lagjen “Shëndeti”, është hedhur një letër nga një person i panjohur me përmbajtje kërcënuese. Rreth orës 00:19, pasi fqinjët e gjetën letrën, rasti u nda edhe në grupin e lagjes, ku u kuptua se i njëjti material ishte hedhur në disa shtëpi.”- ka thënë Rexha për KALLXO.com.
Ai ka kërkuar hetim të menjëhershëm, identifikimin e autorëve dhe mbrojtje për banorët, duke theksuar se të drejtat e tyre do t’i mbrojnë vetëm në rrugë ligjore.
Sipas pretendimeve të banorëve, në letrat e dorëzuara në redaksinë e KALLXO.com thuhet: “Urdhër, shpejt t’i lironi shtëpitë, pronat nga e para deri në fund. Jeni në kundërshtim me fjalën e Zotit, ligjin e xhamisë dhe fesë. Ky është paralajmërimi i dytë se të tretin nuk çojmë lajmërim, vetëm vepër, procedurë, shkatërrim. Mos e kundërshtoni urdhëresën, se do keni pasoja të rënda në familje”.
Banorët kanë bërë të ditur se për rastin është njoftuar Policia e Kosovës.
Nga Policia kanë konfirmuar për KALLXO.com se rasti është raportuar dhe se janë duke u ndërmarrë veprime hetimore.
“Ju njoftojmë se rasti është paraqitur dhe Policia, në koordinim me prokurorin, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e tij.”- thuhet në përgjigjen e Policisë.
Megjithatë, Policia nuk ka bërë të ditur nëse ka persona të dyshuar apo të arrestuar lidhur me këtë rast.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Bashkësinë Islame e Kosovës për të marrë një qëndrim lidhur me këto pretendime, por deri në momentin e publikimit të lajmit, nuk ka pranuar përgjigje.
Prej kur kanë filluar punimet me ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Kryeqytet, ,ka pasur përplasje mes banorëve, BIK-ut e Komunës lidhur me çështjen e pronave, pasiqë për këto punime, Bashkësia Islame ka kërkuar që të marr në shfrytëzim rrugën poshtë lokacionit për Xhaminë, afër Postës së madhe ku në të ndodhen edhe prona private.
Pas shumë negociatash që kanë zgjatur disa vjet, Komuna e Prishtinës dhe BIK-u u pajtuan që Xhamia e madhe të ndërtohet në lagjen ‘Dardania’, një lokacion në mes të një Ambulance të Bashkësisë Lokale dhe ndërtesës së Telekomit të Kosovës.
Punimet për këtë Xhami zyrtarisht kanë filluar në korrik të vitit 2020.
Ndërtimi i Xhamisë do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, me një kosto të përgjithshme prej rreth 40 milionë eurosh.