Në fshatin Siebnen të kantonit Schwyz në Zvicër, komuniteti shqiptar është detyruar të tërhiqet përkohësisht nga planet për hapjen e një xhamie, pasi mijëra banorë të zonës nënshkruan një peticion kundër hapjes së hapësirës së planifikuar për lutje myslimane.
Komuniteti shqiptaro-islam kishte planifikuar ta shndërronte një ndërtesë tradicionale në qendër të fshatit në një qendër kulturore islame, por projekti hasi në kundërshtim të madh nga banorët lokalë. Partia lokale SVP mblodhi rreth 5000 nënshkrime kundër projektit.
Kryetari i komunitetit, Sinan Sadriu, deklaroi se u tërhoqën sepse nuk duan të përçajnë popullsinë dhe nuk dëshirojnë të përballen me ofendime. Ai tha se tani do të kërkojnë bashkëpunim me komunën për të gjetur një vend tjetër të përshtatshëm.
Një banore lokale, Rita Rutz, tha se shumica e banorëve janë të lumtur që xhamia nuk do të ndërtohet aty për momentin, duke shtuar se:
“Ajo nuk përshtatet në mes të fshatit.”
Sipas raportit, raste të ngjashme kundërshtimi ndaj ndërtimit të xhamive janë shfaqur edhe në vende të tjera të Zvicrës, ku shumë banorë shprehin frikë ose mosbesim ndaj kulturës së huaj.