Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Bandat dhe krimi që mbështeten nga një shtet nuk shpartallohen kurrë

Bandat dhe krimi që mbështeten nga një shtet nuk shpartallohen kurrë

Nga Agron Hoti

Kur bandat apo krimi janë të vetëorganizuara, ato herët a vonë mund të shpartallohen dhe vështirë – nëse kurrë më – të riorganizohen. Por, kur bandat dhe krimi mbështeten nga një shtet, ato kurrë nuk shpartallohen.

Të gjithë e dimë që bandat dhe krimi në veri nuk shpartallohen kurrë, sepse është vetë shteti serb mbrapa tyre. Ti mund t’i përndjekësh, t’i fusësh në burg apo t’i vrasësh dhjetëra prej tyre, por shteti kriminal serb të nesërmen t’i sjellë qindra të tjerë aty. Ky cikël nuk përfundon kurrë dhe pikërisht këtë po e bën Serbia.

Nëse Kosova mendon që në veri po shpartallon bandat dhe krimin, po gabohet rëndë, sepse ato kurrë nuk do të shpartallohen derisa projektohen dhe mbështeten nga shteti serb. Sulmi terrorist më i fundit i Serbisë mbi infrastrukturën kritike të Kosovës e konfirmon më së miri këtë gjë.

E përmed bandave dhe krimit Serbia po e sfidon shtetin e Kosovës, sepse duke e mbajtur veriun jostabil po vdes perspektiva ekonomike dhe e ardhmja e Kosovës asesi e Serbisë. Sigurisht që Kosova duhet t’i luftojë bandat dhe krimin, kjo s’do koment, por zgjidhjen duhet ta kërkojë në tavolinë, siç po na e kërkon me ngulm Perëndimi sidomos intensivisht në këto katër vitet e fundit.

Përralla janë ato që po thonë “e kemi veriun nën kontroll.” E vërteta është që veriu as ka qenë e as që është në kontroll të Kosovës, bile sot e kemi humbur tërësisht kontrollin atje, ndaj edhe Perëndimi po na thotë “bëni Zajednicën e rritur në Samoupravnicë, sepse serbët s’kanë më përfaqësim politik.” Punën e Serbisë po e bën sot Perëndimi, ndërsa Serbia po rri në të terur.

Kjo është e vërteta që s’po i thuhet qytetarit. Pastaj, e vërteta tjetër e madhe publike është se veriun e ka ndarë KFOR-i që nga 1999 e jo Serbia, pa dashur këtu ta relativizoj rolin destruktiv dhe kriminal që vazhdon ta luajë Serbia. Qëllimi ka qenë dhe ngelet që Kosova të bëhet shtet multietnik dhe kjo ishte edhe baza mbi të cilën u bë shteti i Kosovës, pavarësisht se a na pëlqen kjo apo jo.

Nuk ka dashur NATO që me kthimin e shqiptarëve nëpër shtëpi të veta në 1999 të iknin menjëherë serbët, sepse kështu në sytë e botës do të zëvendësohej një spastrim etnik me një tjetër dhe kjo do ta kriminalizonte ndërhyrjen e saj në Kosovë. Prandaj, ishte multietniciteti ai që i hapi rrugë pavarësisë së Kosovën me shpresën që veriu përmes një procesi politik gradualisht të integrohej me pjesën tjetër të Kosovës.

Prandaj, e vërteta është që problemi veriut është tërësisht politik dhe si i tillë do zgjidhje politike, nuk zgjidhet problemi i veriut as me polici e as me ushtri. Problem politik e ka cilësuar veriun e Kosovës Perëndimi dhe kjo do zgjidhje vetëm politike. Kosova duhet t’i përgjërohet e përkulet SHBA-së që edhe sot po na ruan sovranitetin.

Kosova duhet sa më parë të shkojë para dyerve të Shtëpisë së Bardhë dhe të kërkojë falje për antiamerikanizmin që mbolli në këto 5 vite, përndryshe, mënyra siç jemi duke ecur të përçarë e pa kurrfarë vizioni, po e afron çdo ditë e më shumë Serbinë kah Perëndimi e po na largon ne. Fakti që Serbia po nënshkruan marrëveshje strategjike zhvillimore me Perëndimin, ndërsa ky i fundit e ka futur Kosovën nën sanksione e konfirmon më së miri këtë.

Sa më shumë që po i ikim problemit me Serbi, mjerisht aq më i madh po na bëhet ai. Nga një Asociacion i thjeshtë që ishte pjesë e Planit të Ahtisarit, na erdhi Zajednica, nga Zajednica na erdhi Samoupravnica, nëse vazhdojmë kështu ndarja e veriut do të jetë e pashmangshme dhe kështu do të na duhet t’i rikthehemi shkëmbimit të territoreve me Luginën e Preshevës pothuajse të zbrazur nga shqiptarët.

Pa ndërtimin e një politike uniteti, do të vazhdojmë të fundosemi në bunar thellë e më thellë, derisa dikur të mos i vyejmë më as dreqit se lëre më popullit. Mbajtja e popullit nën ethe se këtu në çdo moment mund të shpërthejë luftë ka krijuar asi psikoze në popull sa rinia dhe profesionistët po ikin me të madhe e bashkë me ta po vdes ekonomia dhe e ardhmja e kësaj toke të larë me gjak.

Ratkocsburg am Weiß-Drin, më 1 dhjetor 2024