Pas fitorës së mbrëmshme ndaj UE Santa Colomas, vjen një lajm i hidhur për tifozët e klubit suharekas.
Ballkani ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” se Qëndrim Zyba s’do të jetë më pjesë e kampionit në fuqi të Kosovës.
Tutje, tri herë kampioni i Kosovës po ashtu ka zyrtarizuar edhe klubin e ri të 23-vjeçarit.
Slovan Liberec do të jetë aventura e re e mesfushorit kosovar.
“FC Ballkani e falenderon jashtë mase asin tonë të mesfushës, duke i dëshiruar sa më shumë suksese në karrierën e tij, e cila vazhdon në Çeki tek skuadra e njohur, FC Slovan Liberec, klub me të cilin FC Ballkani ka arritur marrëveshje për shitjen e kartonit të lojtarit. Faleminderit shumë kampioni i qytetit tënd, i klubit tënd të zemrës. Ti nderove vatrën tënde me lojën dhe angazhimin e madh, duke u dhënë gjeneratave të reja, shembullin për ta ndjekur”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ballkani javën që po vjen do të luajë ndeshjen e dytë ndaj UE Santa Colomas, e cila zhvillohet në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Ligën e Kampionëve.
Në fazën e dytë, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja do të ndeshet me Midtjylland nga Danimarka.