Kryetari i komunës së Suharekës, njëherësh kandidat edhe për një mandate, Bali Muharremaj ka future në listën për Asamble Enver Shabanin, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës.
Këtë vendim Muharremaj e ka publikuar në rrjetet sociale, teksa e ka cilësuar Shabanin “njeri të punës, të ndershëm dhe gjithmonë pranë qytetarëve”.
“Si Drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, ai ka dëshmuar se përkushtimi dhe profesionalizmi sjellin rezultate që i shohim çdo ditë në qytetin tonë. Me përvojë të gjatë në shërbimin publik dhe përgatitje të lartë profesionale, Enveri ka sjellë rezultate konkrete që kanë përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve tanë”, ka shkruar Muharremaj në Facebook.
Por, Shabani në sytë e qytetarëve njihet edhe si person që ka probleme me ligjin, raporton TV Arbëria.
Ai ishte arrestuar në gusht të vitit 2023 nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë kohës sa ishte mbikëqyrës i drejtpërdrejtë i menaxherit të kontratës në një projekt rrugor. Bashkë me të ishin arrestuar edhe Berat Kabashi, atëbotë zyrtar në drejtorinë e shërbimeve publike/menaxher i kontratës për projektin e njëjtë dhe Bujar Seferaj, udhëheqës i kompaninë SEFERI-CO SH.P.K.
Shabani së bashku me Kabashin akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prizren se kishin hartuar raporte fiktive si dhe kishin nënshkruar raporte pranimi teknik, duke konstatuar se punimet për projektin “Ndërtimi i rrugëve lokale Lot 8-lot5 Nëntori i dytë, ‘’Xhemajl Morina’’, Mehmet Bytyqi segment në Reshtan” ishin kryer sipas kontratës.
Megjithatë, Prokuroria ka konstatuar se këto punime nuk ishin realizuar sipas kontratës. Kompanisë që nuk i kishte përfunduar punimet sipas kontratës, i ishin paguar rreth 25 mijë euro ndërsa Komuna e Suharekës ishte dëmtuar me 13 mijë euro.
Krejt këto sipas Prokurorisë ishin bërë me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për veten apo personin tjetër.
“Sipas aktakuzës, prej datës 13.07.2022 e deri me datën 12.12.2022 në Suharekë, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtar dhe atë, i pandehuri B.K., – Zyrtar i lartë për Menaxhimin e Projekteve në Komunën e Suharekës, i caktuar si Menaxher i Projektit të prokurimit me titullin e kontratës ‘’ Ndërtimi i rrugëve lokale Lot 8-lot5 Nëntori i dytë, ‘’Xhemajl Morina’’, Mehmet Bytyqi segment në Reshtan’’ si dhe i pandehuri E.Sh., i caktuar si Mbikëqyrës i Drejtpërdrejtë i Menaxherit të kontratës në projektin e njëjtë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, me dashje i tejkalojnë kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj dhe veprojnë në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik dhe Rregulloren për prokurimin publik, ku nga provat e siguruara rezulton se të hollat në vlerë prej 24.945.32 euro janë paguar për operatorin ekonomik, e që në realitet rrugët nuk janë shtruar ashtu siç ishte paraparë në kontratë. Të pandehurit, përpilojnë raporte fiktive dhe të rrejshme, dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse punimet janë realizuar sipas kontratës, edhe pse ka pasur ndryshime në mes të sasisë së kontraktuar dhe asaj të realizuar duke përfshirë materialin e planifikuar, gjatësinë dhe gjerësinë e rrugëve e pikërisht gjendja reale e vlerës së punimeve të kryera është më e vogël se vlera e punimeve të parapara në këtë kontratë edhe atë në punët paraprake, ku në përgjithësi vlera e punimeve të realizuara është 13,272.66 euro më pak se vlera e paraparë në kontratë, e që në realitet këto punime më vonë realizohen me kontratën e datës 22.11.2022 me titull “Ndërtimi i rrugëve lokale Nëntori i dytë, ‘’Xhemajl Morina’’, Mehmet Bytyqi segment, etj në Reshtan – faza e dytë’’, e si pasojë Komunës së Suharekës i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 13,272.66 €uro.”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë të publikuar më 29 korrik të këtij viti.
Me këto veprime në cilësi të bashkëkryerësve të njëjtit akuzohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri D.S., si person përgjegjës në personin juridik prej datës 13.07.2022 e deri me datën 12.12.2022 në Suharekë, dhe në fshatin Reshtan, duke vepruar në cilësi të bashkëpronarit dhe si përfaqësues i autorizuar –Drejtor i kompanisë “S.C.O.” Sh.P.K, dhe i pandehuri personi juridik “S.C.O” Sh.P.K., akuzohen se me dashje shkelin procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbatojnë detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, me qëllim të përfitimit për vete, duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës.
“I pandehuri D.S., në bashkëveprim me personat zyrtar të Komunës së Suharekës e pikërisht me menaxherin e kontratës B.K., përpilojnë procesverbale, situacione fiktive si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve përmes kompanisë së tij, kështu që i pandehuri D.S., me datë 15.08.2022 lëshon faturën me numër 16 e cila është dorëzuar në Komunën e Suharekës me datën 13.09.2022 në vlerë prej 15,000.00 euro dhe faturën me numër 35 të datës 06.12.2022 të pranuar në Komunën e Suharekës me datën 20.12.2022 në vlerë prej 9,945.32 euro për realizim të punëve, duke vazhduar bashkëpunimin me zyrtarët komunal të lartëcekur përpilojnë raportin e pranimit teknik kinse janë realizuar punimet sipas kontratës, përderisa gjendja në teren ka qenë e parealizuar, e cila vërtetohet nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë. Me këto veprime i pandehuri ka përfituar dobi pasurore të kundërligjshme duke i shkaktuar dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 13,272.66 euro.”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Ndryshe, Shabani është drejtor komunal në komunën e Suharekës që nga mandati i parë i Muharremajt në vitin 2017. /TV Arbëria