Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka akuzuar qeverinë për nënshkrimin e mbi 1 mijë 800 kontratave njëburimore në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Sipas saj, rreth një e treta e buxhetit të shtetit, shpenzohen përmes prokurimit publik.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet përshqyrtim Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, deputetja Bajrami ka thënë se kjo qeveri e ka dëmtuar buxhetin e shtetit me këto kontrata.
Bajrami: Gjatë këtij mandati qeverisës janë nënshkruar mbi 1 mijë 800 kontrata njëburimore
“Sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik gjatë këtij mandati qeverisës janë nënshkruar mbi 1 mijë 800 kontrata njëburimore në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Rreth një e treta e buxhetit të shtetit, taksave dhe tatimeve që ju paguani në vendin tonë shpenzohen përmes prokurimit publik. Shpenzime këto që në vazhdimësi janë në rritje. Ligji i prokurimit publik, ky që është në fuqi me gjithë të metat që ka, bazohet në parimet e ekonomisë së tregut, efikasitetit, trajtimit të barabartë, jo diskriminimit, qëllimi tij është që të sigurojë mënyrë më transparente të shfrytëzimit të fondeve publike nga ana e institucioneve kontraktuese. Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore sepse nuk merret vlerë për para, projekti kushton më shumë dhe kualiteti ka mundësi të mos jetë më i mirë. Për më tepër kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut dhe ndikon në deformimin e konkurrencës së drejtë, e mbi të gjitha këto kontrata janë burim i korrupsionit…1803 kontrata, dhe kjo listë nuk është e plotë, sepse këtu nuk figuro fare tenderi për rezerva shtetërore i MINT prej 10 milion euro”, tha Bajrami.
Duke folur për kontratat njëburimore, ajo tha se Raporti për vendin i Komisionit Evropian ka treguar se në vitin 2022 janë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 290 kontrata në vlerë prej 559 milionëve, për çfarë tha se një pjesë e konsiderueshme 20.8 për qind thuhet që janë dhënë përmes procedurave të negociuara pa publikim të kontratës, rreth 78 milionë euro.
Bajrami: Gjatë këtij mandati këto kontrata po dalin që të jenë metodë e abuzimit me paranë publike
“Kontratat me negocim të drejtpërdrejt edhe pse të lejuara në ligjin e prokurimit publik në kushte shumë specifike të përcaktuara në ligj gjatë këtij mandati po dalin që të jenë metodë e abuzimit me paranë publike dhe dëmtim i rënë i konkurrencës së drejtë në treg… Raporti për vendin i Komisionit Evropian, ky i fundit na jep statistika alarmante, dhe thotë që tregu i prokurimeve publike në Kosovë në vitin 2022 ishte 6.5 për qind e GDP-së. Sipas këtij raporti në vitin 2022 janë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 290 kontrata në vlerë prej 559 milionëve. Një pjesë e konsiderueshme 20.8 për qind thuhet që janë dhënë përmes procedurave të negociauara pa publikim të kontratës, rreth 78 milionë euro”, shtoi ajo.
Ndërsa, ka thënë se në mesin e abuzueseve prin KEK-u me 43 milionë euro.
Bajrami: Në mesin e abuzueseve prin KEK-u
“Në mesin e abuzueseve prin KEK-u, e cila prej 340 milionëve ka 102 milionë kontrata të negociuara, janë gjithsej 112 kontrata. KEK-u ka negociuar 13 kontrata me të njëjtën kompani në vlerë prej 5.6 milionë euro me një kompani. Janë 43 milion euro të dhëna me kontrata të negociuara. E kemi Telekomin e Kosovës me 28 kontrata dhe 21 milionë kem mandej Shërbimin Klinik Spitalor të Kosovës me 52 kontrata, 3.5 milionë, Ministrinë e Arsimit me 41 kontrata, 10.2 milionë. Ne e dimë që ju nuk keni punuar asgjë, nuk keni arritur të përmbushni asnjë prej premtimeve, por janë edhe 881 milionë euro që kjo qeveri taksa dhe tatime e qytetarëve i ka dhënë me vendime të qeverisë dhe këto janë skema të abuzimit publik e korrupsionit që keni tentuar të blini paqe dhe të mirëmbani votën”, ka thënë ajo.