Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk ka më vend në këtë subjekt politik.
Sipas saj, Osmani mban përgjegjësinë kryesore për rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet e vitit 2021.
Në një intervistë në emisionin Debat Plus, Bajrami tha se qëndrimi i saj është personal, por i prerë.
“Sipas meje personalisht, Vjosa Osmani është personi fajtor kryesor pse LDK-ja në vitin 2021 ka rënë në 12 për qind. Ju rikujtoj deklaratën e saj se nëse ajo nuk është në LDK, nuk është në politikë. Vjosa Osmani nuk ka vend në LDK”, tha ajo.
“Nëse do të kthehej në LDK, LDK do t’i ofendonte dhe në një mënyrë do t’i përjashtonte votuesit e saj të besueshëm, ata që kanë qenë me partinë në kohë të mira e të vështira. Kjo do të ishte kundër vullnetit të tyre”, u shpreh Bajrami.
Nënkryetarja e LDK-së theksoi se kjo çështje nuk është diskutuar në forumet e partisë, por se mendimi i saj është i qartë.
“Me dëshirë, kurrë votë për Vjosa Osmanin nuk ka. I ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh LDK-së”, përfundoi ajo.