Gazetari dhe publicisti i njohur, Bajram Kabashi, ka folur për sfidat dhe pasionin pas profesionit të gazetarisë në një intervistë në emisionin “n’Pult” në Arbëria TV.
Kabashi e përshkroi gazetarinë si një rrugëtim të vështirë, por të pasur me përvoja, të cilat vetëm ata që e kanë jetuar këtë profesion i kuptojnë plotësisht.
“Profesioni i gazetarisë është një profesion i rëndë. Vetëm ata që e kanë shiju, domethënë rrugët e këtij profesioni, ndoshta vetëm ata dinë ma mirë se të tjerët me tregu se çka do të thotë ta dashurosh profesionin dhe të jesh pjesë e rrugëve të këtij profesioni,” tha Kabashi.
Ai kujtoi me nostalgji periudhën para luftës, kur puna e gazetarit ishte më shumë se profesion – ishte mision dhe përgjegjësi morale ndaj publikut. “Para lufte, ne jo vetëm që e donim profesionin, por ishim edhe entuziast dhe mendonim se nëse ne nuk do të jemi pjesë e dhënies së lajmit, ne do t’i mbetshim borxh opinionit publik,” u shpreh ai.
Kabashi theksoi se gazetaria kërkon përkushtim të plotë, dashuri për të vërtetën dhe guxim për të përballuar pasojat që mund të vijnë nga ushtrimi i këtij profesioni.