Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Bajraktari: Refuzimi i dëshmitarit Zyrapi, si njëri nga dëshmitarët thelbësor e cenon barazinë e armëve në procedurë

Bajraktari: Refuzimi i dëshmitarit Zyrapi, si njëri nga dëshmitarët thelbësor e cenon barazinë e armëve në procedurë

Shkruan Ardian Bajraktari, avokat

Prej parimeve bazë për të garantuar gjykim të drejtë, është edhe barazia e armëve, palëve në procedurë.

Ky parim në procesin ndaj katërshës së UÇK-së në jo pak raste është cenuar, duke filluar nga koha disproporcionale që kanë pasur palët në dispozicion dhe jo vetëm.

Opinioni u njoftua se Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara, ka refuzuar propozimin e mbrojtjes për të dëshmuar z. Bislim Zyrapi, ish Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pra, një dëshmitar i rëndësishëm.

Sa i përket propozimeve, kur refuzimi i një propozimi është shkelje?

Refuzimi bëhet shkelje nëse e cenon të drejtën për një gjykim të drejtë të përcaktuar me nenin 6 Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nëse një refuzim i tillë është arbitrar, pra pa arsyetim, e pamundëson palën të paraqesë thelbësisht çështjen e saj, duke refuzuar dëshmi ose prova vendimtare pa arsye të justifikuara, si dhe ndikon në barazinë e armëve ose në kontradiktoritetin e procesit.

Referuar jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për sa i përket çështjes së refuzimit, ndër të tjera thuhet se barazia e armëve kërkon që secila palë të ketë mundësi të arsyeshme për të paraqitur çështjen.

Po ashtu, mos paraqitja e provave, respektivisht mosdëgjimi i dëshmitarëve të rëndësishme pa arsye të fortë, mund të përbëjë shkelje.

Gjykatat vendore kanë të drejtë të refuzojnë provat e panevojshme, të tepërta ose të pashembullta, por me kusht që vendimi të jetë i mirë arsyetuar.

Mungesa e dëgjimit të një dëshmitari të propozuar nga mbrojtja e cenon barazinë e armëve, veçanërisht kur prokuroria ka paraqitur dëshmitarë të ngjashëm ose identikë, ndërsa mbrojtjes i refuzohet kjo e drejtë. Kjo vlen edhe sa i përket pranimit të deklaratës së tij me shkrim, siç e parasheh Rregullorja e Procedurës dhe e Provave të Gjykatës Speciale.

Dëshmia dhe dëshmitari Zyrapi e fiton karakterin e “dëshmitarit thelbësor”, bazuar në rolin dhe pozitën që e ka pasur z. Zyrapi gjatë luftës, prandaj, refuzimi dëshmisë së tij e cenon tej mase parimin e barazisë së armëve, palëve në procedurë dhe rrjedhimisht është shkelje e parimeve që garantojnë gjykim të drejtë.