Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Pjesa dërmuese e propozim amendamenteve për veting kaluan nga Gjykata Kushtetuese – çka pas këtij hapi

Pjesa dërmuese e propozim amendamenteve për veting kaluan nga Gjykata Kushtetuese – çka pas këtij hapi

Shkruan: Ardian Bajraktari- Vetingu në sistemin e drejtësisë, ka kohë që është pjesë e diskursit dhe diskutimeve brenda institucioneve, por edhe përtej.

E përbashkëta e të gjitha diskutimeve rreth vetingut (nëse veç mund të gjendet një emërues i përbashkët në shoqërinë tonë), është se ka nevojë, për një gjë të tillë.

Çështja është a duhet veting i tipit klasik dhe të tërësishëm, apo forcim të mekanizmave, brenda sistemit të drejtësisë, mekanizmave të vlerësimit të përformancës dhe të disiplinimit, apo mund të jenë të dyja këto.

Këtyre dilemave ju ka dhënë zgjidhje Komisioni i Venecias, duke rekomanduar që veting, mund të ketë vetëm për krerët e sistemit të drejtësisë, kurse për të tjerët, forcim të mekanizmave brenda sistemit.

Në linjë me rekomandimet e këtij Komisioni, u punua, madje pati edhe përgjithësisht konsensus, në hartimin e amendamenteve kushtetuese, për veting në sistemin e drejtësisë, për të cilat dje, opinioni u njoftua nga Gjykata Kushtetuese, se ju hap rruga hapave pasues.

Çka kaloi e çka jo testin e Gjykatës kushtetuese?

Duhet thënë që janë tri propozim-amendamente që kaluan, ai 27, 28 dhe 29.

Propozim-amendamenti 27 dhe 28, kanë për qellim zgjërimin e bazave, arsyeve për shkarkimin e gjyqtarëve përkatësisht prokurorëve, sipas të cilave propozime, mosrespektimi i rëndë i detyrave përfshin rastet kur gjyqtari përkatësisht prokurori në mënyrë të vazhdueshme është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme, ose është vërtetuar se ka pasuri të pajustifikueshme, ose që ka integritet të cenueshëm, ose ka bërë shkelje të rënda disiplinore, sikurse përcaktohet me ligj.

Këto baza, përveç “integritet të cenueshëm” kanë kaluar testin, përkatësisht janë vlerësuar se nuk cenojnë të drejtat dhe liritë e garantuara me kapitullin II të Kushtetutës, gjë e cila është obligim i Gjykatës Kushtetuese, në raste të tilla.

Propozim amendamenti 29, që i dedikohet vlerësimit të integritetit, duke propozuar shtimin e 6 neneve të reja, si në vijim: Kontrollin e integritetit, Autoriteti për Kontrollin e Integritetit, Zgjedhja dhe shkarkimi i anëtarëve të Autoritetit për Kontrollin e Integritetit, Kompetencat e Panelit të Kontrollit të Integritetit, Detyrimi për bashkëpunim nga subjekti i kontrollit, si dhe E drejta e ankesës në Kolegjin e Apelit, ka kaluar në tërësi testin e Gjykatës.

Për kë do të ketë proces kalimtar të kontrollit – veting?

Proces kalimtar të kontrollit apo Veting të tipit klasik, parashihet të bëhet për anëtarët të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarët të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarët e të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorët, si dhe kandidatëve për këto pozita, përjashtuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.

Ky kontroll vetëm një herë për subjektin, nga një mekanizëm i pavarur, përzgjidhet në një proces transparent nga ana e Presidentit të Republikës, dhe votohet në Kuvend (në bllok) me votat e 2/3 të të gjithë deputetëve.

Pra, veting të tipit klasik, sipas këtyre propozim-amendamenteve, nëse i përjashtojmë kandidatët për pozita respektive, janë gjithsej 47 individë, respektivisht pozita.

Çka pastaj?

Hapi i parë, rishikimi i amendamentit nr. 27 dhe 28, duke e hequr pjesën e cila i referohet  “integritet të cenueshëm” si bazë për shkarkim, si propozim që i pakëson të drejtat e garantuara me kapitullin II të Kushtetutës.

Hapi i dytë, angazhimi në sigurimin e votave – gjë të cilën e vlerësoj si tejet problematike, bazuar në rrethanat aktuale që janë në Kuvend, për faktin se amendamentet kushtetuese duhet të kalojnë me votat e 2/3 të të gjithë deputetëve, duke përfshirë edhe 2/3 e votave të deputetëve të komuniteteve pakicë, gjë e cila është vështirë e arritshme në këto rrethana.

Hapi i tretë, angazhimi në proces të hartimit të legjislacionit të fushës së drejtësisë, për forcimin e mekanizmave të brendshëm, ngase edhe aktualisht sikurse e thotë edhe Gjykata Kushtetuese, çështjet që ndërlidhen me vlerësimin e performancës dhe shkeljeve të rënda disiplinore, bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, tashmë përbëjnë bazë për propozimin për shkarkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve,

Pra, duke përforcuar zbatimin e mekanizmave ekzistues ligjor, por edhe përmes miratimit të legjislacionit përkatës, fokusi bie pak më shumë te cilësia, ndryshe nga që është deri më tani, fokusi kryesisht binte te sasia, por, ndryshimet të shoqërohen me konsensus ndër institucional.

/TV Arbëria

Themes by WordPress