Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Bajqinovci: Komuna e Prishtinës po dënon ndërmarrjet publike dhe po i dërgon ato në falimentim

Bajqinovci: Komuna e Prishtinës po dënon ndërmarrjet publike dhe po i dërgon ato në falimentim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci në një deklaratë për mediat, ka kritikuar ashpër Komunën e Prishtinës për mënyrën se si po menaxhon ndërmarrjet publike, duke i çuar ato drejt falimentimit dhe duke dëmtuar shërbimet komunale të qytetarëve.

Sipas tij, ndërmarrjet publike janë pasuri e qytetarëve dhe një shtyllë e rëndësishme për ofrimin e shërbimeve thelbësore, por ato po neglizhohen nga autoritetet lokale.

Deputeti theksoi se një nga shembujt më shqetësues është Ndërmarrja “Pastrimi”, e cila po përjeton një dobësim të shërbimeve dhe një rrezik serioz për punonjësit.

“Punëtorët po rrezikohen të mbesin pa vende pune, ndërsa kontraktohen kompani private për pastrimin e qytetit”, tha ai, duke vënë theksin në faktin se Komuna e Prishtinës po lë pas dore rolin e ndërmarrjeve publike dhe po privatizon shërbime që mund të ofroheshin më mirë nga këto ndërmarrje.

Në përfundim, deputeti i VV-së ka theksuar se privatizimi i gjithçkaje nuk është zgjidhja për sfidat që përballet qyteti, dhe ka apeluar që të forcohen ndërmarrjet publike, për të siguruar një menaxhim më të mirë të shërbimeve komunale.

“Prishtina meriton më mirë!” përfundoi ai, duke kërkuar angazhim më të madh nga autoritetet lokale për mbështetje dhe zhvillim të ndërmarrjeve publike.