Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Bеrbok në Maqedoninë e Veriut: Ju presim që së bashku të ulemi në tavolinën e BE-së

Bеrbok në Maqedoninë e Veriut: Ju presim që së bashku të ulemi në tavolinën e BE-së

Ministrja Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok, sot, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, qëndroi për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Bisedimet ndërmjet dy ministrave u fokusuan në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, me ç’rast Osmani iu referua zbatimit të agjendës së BE-së si investim ardhmërinë evropiane të vendit.

“Gjermania vazhdon të jetë një nga promotorët më të fuqishëm të integrimit evropian të rajonit dhe në këtë kontekst dua të falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që merr edhe vendi ynë. Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm historik. Ta marrë fatin në duart e saj dhe të ecë me vendosmëri drejt anëtarësimit të plotë, gjatë së cilit viti 2030 është një qëllim ambicioz, por edhe i arritshëm, ose përsëri të hyjë në rishikim dhe ngecje. Perspektiva reale për gëzimin e katër lirive – për mallra, kapital, shërbime dhe fuqi punëtore – edhe gjatë negociatave duhet t’i mobilizojë të gjitha pjesët e shoqërisë dhe të çojë drejt dinamikës së re ekonomike”, theksoi Osmani.

Osmani falënderoi Gjermaninë për rolin e saj në ringjalljen e Procesit të Berlinit si bashkëpunim bazë dhe gjithëpërfshirës rajonal në nivelin më të lartë dhe si iniciatore e planeve të veprimit në Tregun e Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe Agjendën e Gjelbër.

“Maqedonia e Veriut e njeh rëndësinë e procesit të negociatave me Bashkimin Europian dhe për këtë qëllim do të investojë kapacitetet e saj politike dhe administrative në drejtim të zbatimit të agjendës europiane. Njëherit, si partner i besueshëm i BE-së dhe pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të vlerave dhe parimeve, në ndërkohë presim më shumë përfitime praktike dhe rezultate të prekshme që dalin nga procesi i anëtarësimit”, nënvizoi Osmani.

Ministri Osmani shprehu kënaqësinë e tij për shkëmbimin e madh tregtar me Republikën Federale të Gjermanisë, e cila vitin e kaluar arriti në pesë miliardë euro dhe, sipas tij, vazhdon me një hap galopant edhe këtë vit.

Ministrja gjermane, Berbok e konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu kënaqësi për gatishmërinë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për t’u ballafaquar me sfida serioze, si ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të një rëndësie të madhe për të vazhduar procesin e negociatave me qëllim për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Osmani e informoi bashkëbiseduesen për aktualitetet në lidhje me kryesimin e OSBE-së përmes prizmit të prioriteteve të përcaktuara, në të cilat Ukraina mbetet prioriteti ynë kryesor dhe çështje kyçe e sigurisë në kuadër të OSBE-së 2023. U vu në dukje roli dhe kontributi ynë aktiv në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajon, me theks në kryesimin e ShBA-Karta e Adriatikut (A5), si dhe të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (PBEJL).

/TV Arbëria