Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar se nëse punëtorët teknikë të disa institucioneve, nuk marrin zotim deri të premten që pagat do t’u dalin me rritje, atëherë nga 2 shtatori do të ketë grevë.
Azemi në “Info plus” ka thënë se nuk do të punojnë më për 270 euro dhe ka kërkuar paga mbi 405 euro.
Punëtorët teknik të QKUK-së, UP-së, të Komunës së Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës po kërkojnë që të rriten pagat. Në të kundërtën ata kanë thënë se do të hyjnë në grevë.
“Të gjithë këta punëtorë janë të gatshëm që të hyjnë në grevë që ditën e nesërme. Sipas ligjit, e kemi lënë edhe një hapësirë nëse partnerët tanë duan të dialogojnë. Komuna e Prishtinës, në bazë të tenderit e ka respektuar atë që ne e kemi kërkuar pagë 405 euro, por nuk e ka respektuar afatin ligjor sepse pagat tona është dashur të rriten”, u shpreh Azemi.
Sipas tij, do të merret vendim dhe dita e fundit është e premte.
“Do të kërkoj me shkrim nga të gjitha shoqatat dhe me 2 shtator do të futemi ne grevë. Për të qenë sa me real e dua firmën e secilit punëtor veç e veç, kjo është arsyeja sepse ne në marrëveshje me gjitha institucionet më 1 shtator duhet të fillojmë me pagën 405 euro”, ka thënë Azemi, duke kërkuar nga institucionet që të respektohet marrëveshja e arritur më herët.
Azemi për këtë problem nuk i fajëson kompanitë tenderuese, por institucioneve përkatëse. Ndërkohë ai ka përsërit që paga prej 405 do të vlejë deri në dhjetor, kurse më pas ajo duhet të rritet në 500 euro.