Rrjeti i OJQ-ve AVONET ka njoftuar se ka dorëzuar një kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore ndaj znj. Florije Kqiku, Udhëheqëse e Inspektoratit të Ndërtimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Sipas njoftimit, kjo kërkesë vjen si rezultat i shkeljeve të rënda dhe të përsëritura të detyrave zyrtare nga ana e znj. Kqiku, të cilat kanë ndikuar negativisht në funksionimin e rregullt institucional dhe kanë dëmtuar transparencën dhe llogaridhënien publike.
“Për shkak të mosveprimit dhe sjelljeve joprofesionale të saj, shoqëria civile kanë hasur në pengesa për të marrë informacion të drejtë dhe të plotë mbi çështjet e ndërtimit dhe zbatimit të ligjit. AVONET ka ndërmarrë këtë hap pas një periudhe të gjatë shqetësimesh dhe pas analizimit të veprimeve që tregojnë një mungesë serioze të përkushtimit profesional dhe përgjegjësisë institucionale. Konkretisht, znj. Kqiku ka treguar neglizhencë të vazhdueshme ndaj kërkesave zyrtare të AVONET, duke mos ofruar përgjigje profesionale dhe duke mos respektuar afatet e përcaktuara ligjore. Një qasje e tillë pengon proceset e monitorimit dhe e bën të pamundur informimin e saktë të publikut mbi zbatimin e ligjit në fushën ndërtimit. Për më tepër, AVONET ka identifikuar se znj. Kqiku ka dhënë informacione të pavërteta, duke pretenduar ekzistencën e një padie kundër Ministrisë. Ky informacion është konstatuar si i pavërtetë nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Deklaratat e rreme dhe të pabaza dëmtojnë besimin e qytetarëve dhe krijojnë pasiguri mbi veprimtarinë institucionale. Veprime të tilla dëmtojnë llogaridhënien institucionale dhe krijojnë një frymë të mosbesimit ndaj institucioneve që priten të jenë të hapura dhe transparente”, thuhhet në komumikatë.
Duke pasur parasysh këto rrethana, AVONET ka kërkuar që Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Mjedisit të trajtojë këtë rast me profesionalizëm dhe paanshmëri, duke ndërmarrë masat e duhura për të garantuar përgjegjësi dhe respektim të ligjit nga zyrtarët publik.
“AVONET do të ndjekë me vëmendje këtë proces dhe do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm. Ne mbetemi të përkushtuar për të siguruar një administratë publike transparente, të përgjegjshme dhe në shërbim të qytetarëve”, thuhet tutje.